2008-03-20 18:58:25

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(20.03.2008 RV)20 mars: Vladimiri, Princi i Kievit dhe kthimi i Rusisë në fenë e krishterë
Nuk mund ta quajmë kohë të përshtatshme për t’u pagëzuar. Është data 6 janar e vitit 988, solemniteti i Dëftimit të Zotit. Ujërat e lumit Dniepër janë ngrirë akull. E ftohta është aq e madhe, sa dheu plasaritet e deri gurët thyhen.
Por Vladimiri, Princi i qytetit Kiev, s’pyet fare. Dëshiron të martohet me princeshën Ana, që është e krishterë shumë e devoçme, prandaj s’e ka për gjë të zhytet deri në grykë në një vrimë të hapur enkas në ujërat e ngrira e, sipas traditës së vendit, të marrë kështu Sakramentin e Pagëzimit.
Dëshmitë historike tregojnë se e zgjodhi fenë e krishterë, pasi e krahasoi me të gjitha fetë e tjera. Madje dërgoi dhjetë burra, të njohur për dituri e urti, në vendet fqinje, që të studionin me vëmendje kultet e traditat fetare të secilit popull. Si u kthyen te Vladimiri, burrat e urtë i folën për gjithë ç’kishin parë e dëgjuar. S’u ishin dukur interesante as ritet muhamedane të Bullgarisë, as ritet e gjermanëve, e as ato të hebrenjve të Khazarit. Çka i kishte prekur, i kishte habitur, i kishte lënë pa mend, aq sa s’gjenin dot fjalë për ta shprehur emocionin e tyre – ishte shkëlqimi i jashtëzakonshëm i kremtimeve fetare të Kostandinopojës, kryeqytetit të Perandorisë bizantine.
“Vështirë të kuptoje ishe në qiell apo në tokë..” – i thanë të urtët. Vladimiri s’pati më asnjë dyshim. Edhe vetë natyra e tij përkonte me këtë mënyrë kremtimi. Ai dëshironte ta lavdëronte Zotin e t’i shprehte mirënjohjen e tij me ceremoni madhështore, në të cilat shpirti lartohej drejt qiellit edhe falë shkëlqimit të arit e të purpurës së veshjeve, të dritës së qirinjve e të aromës së temjanit.
Kjo histori tregon se Rusia ishte në udhëkryq ndërmjet feve të ndryshme, prandaj edhe mund të mos e zgjidhte fenë e krishterë. Por princi Vladimir e zgjodhi pikërisht këtë fe, e jo vetëm sepse i pëlqeu. Pati edhe arsye politike për ta bërë këtë zgjedhje. Perandori bizantin, Bazili II, kishte nevojë për ndihmë ushtarake që të shtypte fillimet e luftës civile. Iu drejtua Vladimirit. E ai pranoi, por duke kërkuar dorën e princeshës Ana. Me që Ana ishte e krishterë, perandori vuri si kusht kthimin e Vladimirit në fenë e Krishtit. Kështu, në vitin 988, Vladimiri mori Sakramentin e Pagëzimit. Disa ditë më pas, mijëra vikingë u zhytën në ujërat e Dnieprit, për t’u kthyer në fenë e kryetarit të tyre. Rusia nisi të bëhej e krishterë.Vladimiri ndërtoi shumë kisha, ndërmjet të cilave, Kishën kushtuar Nënës së Zotit në Kiev: një kryevepër e vërtetë.
Princi i krishterë vdiq në vitin 1015. Veprën e tij e vijoi i biri, Jaroslavi.







All the contents on this site are copyrighted ©.