(19.03.2008 RV)Në prag të 5-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake në Irak, administrata
amerikane vazhdon të paguajë shuma të mëdha për financimin e operacioneve ushtarake
në vendin arab. Sipas vetë amerikanëve, lufta në Irak do të kushtojë mëse 3000 miliard
dollarë, konflikti më i shtrenjtë i historisë amerikane. Sipas ekonomistit e shkencëtarit
indian Razhendra Paçauri, i cili foli në një konferencë në Kopenhagen, me shumën e
shpenzuar për Irakun në një muaj, qeveria amerikane do të mund t’ia ndryshonte faqen
botës. Për shembull, mund të siguronte elektricitet për një miliard persona, një e
gjashta e popullsisë botërore. Më një të tretën e kostos së vlerësuar mund të ndërtohen
8 milion shtëpi, të merren në punë 15 milion profesorë, të mjekohen 530 milion fëmijë
e t’u jepen bursa studimi 43 milion të rinjve.
Mbetemi në Irak, ku përfundoi
sot me rezultate jo të kënaqshme, konferenca e dytë e pajtimit kombëtar. Një komunikatë
ku dënohet terrorizmi e bëhet thirrje për ta mbajtur vendin të bashkuar është maksimumi
i përpjekjeve të grupeve që u mblodhën që dje në Bagdad. Mungesa e grupit sunit “Fronti
i Bashkëpunimit”, e atij të lidhur me liderin shiit Moktada al Sadr dhe e eksponentëve
të tjerë të rëndësishëm e zvogëloi rëndësinë e takimit.
Mbretëresha e Anglisë,
Elizabeta II mbërriti mbrëmë në Irlandën e Veriut për një vizitë triditore. Udhëtimi
i saj përkon me 10 vjetorin e “Marrëveshjes të së Premtes së Madhe”, që më 10 prill
1998 i pati dhënë fund dhunës ndërmjet Unionistëve dhe Republikanëve. Mbretëresha
do të marrë pjesë nesër, të Enjten e Madhe, në meshën ekumenike të kremtuar në katedralen
anglikane të shën Patrikut në Armag dhe do t’u shpërndajë çanta me para 164 përfaqësuesve
të katër besimeve të krishtera. Kjo ceremoni e ka origjinën në vitin 1300, kur sovrani
u lante këmbët nënshtetasve, ashtu si Krishti. Por në vitin 1633, ceremonia u shndërruar
në mënyrën si bëhet sot, pra me shpërndarjen e çantave me para.