2008-03-19 17:53:50

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(19.03.2008 RV)RealAudioMP3 19 mars: Mieshko i Polonisë, katekumen tepër i çuditshëm.
“Nuk mund ta kuptoj pse Hyji nuk i qiti faret. Është i gjithëpushtetshëm, apo jo? Po të isha unë në vend të Tij, kur nisën ta gozhdojnë Krishtin, do të kisha dërguar një ushtri engjëjsh për ta çliruar nga kthetrat e tyre. Do t’u kisha dhënë urdhër t’i sulmonin xhelatët, t’i verbonin e t’ua prisnin kokat!”.
“Por, i dashur princ, ju po harroni fare se Hyji nuk arsyeton kështu, si ju: Hyji i do aq shumë njerëzit…, sa…”.
Meshtari, që i bën katekizëm Mieshkos, përpiqet të ruajë qetësinë. S’ka pikë dyshimi. Princi ka ende shumë rrugë për të bërë, para se të marrë Pagëzimin. Vullneti i tij i mirë është admirueshëm, por i duhet kohë për të luftuar kundër instinkteve barbare e për’a marrë denjësisht emrin ‘Princ i krishterë’.
Mieshko është trim mbi trimat. U bë princ i Polonisë pasi i vdiq i jati, Zhimomishili. Në atë kohë Polonia ishte vend i ligësht. Një vijë e hollë kufiri e ndante nga fqinji i fuqishëm, perandoria gjermane. Prandaj shqetësimi numër një i princit polak ishte ta shmangte rrezikun e një pushtimi të mundshëm nga perandori gjerman. Duke dashur të fuqizojë pushtetin e t’i bëjë ballë kundërshtarit, Mieshko lidhi besën me një fqinj tjetër, princin e Pragës, Bolesllavin. Për ta forcuar më tej këtë lidhje, kërkoi dorën e së bijës, princeshës së bukur, Dobrava.
Dobrava e do fort Mieshkon e i duket gati-gati i përkryer. E do të qe plotësisht kështu, po të mos ishte pagan. Ndërsa princesha është e krishterë e dëshiron që të jetë kështu edhe shoku i ardhshëm i jetës. Ajo mund ta lidhë fatin me një burrë vetëm përmes sakramentit të martesës. E me që edhe Mieshko e do fort vashën çeke, pranon të martohet në Kishë. Dobrava, që mendon se Mieshko mund të pagëzohet menjëherë, e ndjen veten të lume. Por Pagëzimi vonon, madje tepër: princi nuk arrin ta kuptojë se Hyji i të krishterëve është Zoti i dashurisë. Se duhet dashur armiku si vetvetja?! Ky Zot nuk u ngjan fare perëndive hakmarrëse të etërve të tij.
Më në fund, më 14 prill të vitit 966, mendohet se Mieshko është gati për të marrë sakramentin e Pagëzimit. Organizohet një kremtim madhështor. Është një nga ditët më të rëndësishme për jetën e Polonisë: nuk e merr sakrametin e parë të fesë së krishterë vetëm Princi: pagëzohet mbarë Polonia.
Krishtërimi hyn në Poloni e lëshon rrënjë të thella në zemrat e polakëve: ky komb, pavarësisht nga tallazet e historisë së vet, do të mbetej gjithnjë thellësisht i krishterë!







All the contents on this site are copyrighted ©.