2008-03-18 16:38:08

U publikuan meditimet e kardinalit kinez Çen Zhë-Qyn për Udhën e Kryqit 2008, që do të kryesohet nga Benedikti XVI në Koloseo.


(18.03.2008 RV)RealAudioMP3 Në sa shkruaja tekstin e këtyre meditimeve, m’u desh të përpiqesha për të pastruar shpirtin nga ndjenjat e atyre që, pa pikë mëshire, e bënë të vuajë Jezusin, e edhe të atyre që vijojnë t’i mundojnë, në botën e sotme, vëllezërit tanë”. Këto janë fjalët me të cilat kardinali Çen Zhë-Qyn hap meditimet, shkruar për Udhën e Kryqit që do të kremtohet në Kolose të Premten e Madhe, të cilat u publikuan sot. Hirësia e Tij shpjegon se ftesa që iu bë nga Papa Benedikti XVI për këto meditime, e frymëzoi të sjellë në Romë jehonën e zërit të Kishave të Azisë e posaçërisht, të Kishës së Kinës. Por, ta dëgjojmë vetë kardinalin Çen Zhë-Qyn:

Përgjigje: - Kur e mora këtë ftesë, kuptova se Ati i Shenjtë dëshironte që unë të sjell në Kolose zërin e Kinës. Kujtimi i mundimeve të Zotit tonë natyrisht të kujton menjëherë edhe vuajtjet e njerëzve që besuan në të, në rrjedhë shekujsh. E sot, të sjell në mend mundimet e kinezëve, që vuajnë për shkak të fesë së tyre, të sjell në mend vuajtjen e mbarë Kishës kineze. Prandaj mund të them se tema përkon plotësisht me kujtimin e Mundimeve të Zotit tonë, sepse është akoma sot vetë Zoti, ai që vuan në korpin e tij mistik..

Pyetje: - Ju, Hirësi, keni zgjedhur temën e persekutimit, të parë në dy këndvështrime: jo vetëm në këndvështrimin e persekutimit të Kishës nga jashtë, por edhe nga brenda…

Përgjigje: - Kur mendon për persekutimin, mendon edhe për të persekutuarit e persekutorët; e edhe për ne: jemi ndërmjet të persekutuarve, por nganjëherë edhe ne vetë bëhemi persekutorë, sepse jemi mëkatarë, apo jo? Atëhere meditimi fiton hapësirë të re e na nxit të lutemi për të gjithë: për ata që vuajnë nga shkaku i fesë, për ata që shkaktojnë vuajtje, por që shpesh kthehen edhe vetë në viktima, e edhe për ne, që me pabesinë tonë, bëhemi, ndoshta pa dashur, pjesëtarë të këtij misteri të së keqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.