2008-03-18 17:30:47

Serbia kërkon hetime nga OKB-ja për Mitrovicën. Kondolica Rajs u bën thirrje palëve të mos përdorin dhunën.


(18.03.2008 RV)Qyteti i Mitrovicës, në veri të Kosovës, është sot i qetë, por gjendja mbetet e tensionuar. Policia e UNMIK-ut akoma nuk është kthyer në zonën, që mbetet nën kontrollin ushtarak të KFOR-it. Një nga policët ukrainas të UNMIK-ut ka humbur jetën nga plagët e marra në ndeshjet e djeshme me serbët. Ndërkaq, janë plagosur rreth 60 policë të UNMIK-ut dhe 20 ushtarë francezë të KFOR-it, përveç 150 manifestuesve. Mbrëmë, në një intervistë televizive, presidenti serb Boris Tadiç mbështeti braktisjen e institucioneve nga serbët e Kosovës.

Serbia ka kërkuar gjithashtu që OKB-ja të zhvillojë hetime për mënyrën e sjelljes së policisë së UNMIK-ut dhe forcave të KFOR-it në Mitrovicë. Në një notë zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç e konsideron reagimin e tyre si ekstremist e përdorimin e forcës të papranueshëm.
Ndërkaq, nga Rusia ku është takuar me autoritetet, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs u kërkon si shqiptarëve, ashtu edhe serbëve të mos përdorin dhunën dhe të mos bëjnë provokime. Për ministrin e jashtëm rus, Lavrov, gjendja e krijuar në Mitrovicë është pasojë e qartë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që për Moskën mbetet e gabuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.