2008-03-18 16:37:38

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(18.03.2008 RV) RealAudioMP3 18 mars: Mali Atos, mal i shenjtë
Gadishulli i Malit Atos i ngjet një gishti të gjatë të shtrirë në det. Atanasi, si përshkon një pjesë të mirë të bregdetit, ndalohet në pikën e tij më të skajshme, atje ku toka takon dallgët.
I lodhur por edhe i mahnitur, ulet mbi një shkëmb për të kundruar perëndimin e për të lavdëruar Zotin, që ka krijuar gjithë këtë bukuri.
Gjatë shëtitjes, pa plazhe, shkëmbinj, pyje që zbresin ëmbël-ëmbël drejt bregut. E pas shpine, Malin Atos, me majën e tij të lartë, që duket si roje mbi gadishullin. Peizazhi ndryshon në çdo hap. Është përplot me të papritura. E sa më shumë e shëtit, aq më i bukur të duket.
Atanasi mbetet pa frymë përballë gjithë kësaj bukurie. Nuk dëgjohet asnjë zhurmë, veç këngës së dallgëve, që shtrohen ngadalë përmbi zall. Ky gadishull është vend ideal: do të jetojë këtu përgjithmonë. Më në fund gjeti pikërisht vendin e duhur për t’u lutur në heshtje. Ka lënë pas Kostandinopojën, kryeqytetin e perandorisë bizantine, plot zhurmë e lëvizje, ashtu si të gjithë qytetet e mëdha, për të ardhur në Greqi. Këtu zbuloi këtë vend të mahnitshëm, të pashok në botë, në të cilin nuk është aspak e lehtë të hysh. Atanasi shikon këmbët. I janë gërvishtur keqas nëpër gëmushat e shkëmbinjtë e mprehtë. Po atij s’i bëhet fare vonë për gjakun që i rrjedh nga këmbët e zbathura. Madje nuk shikon fare ku shkel. Ky është gadishulli i paqes. Ai gjeti pikërisht atë që dëshironte më shumë: qetësinë e plotë, heshtjen e madhe në mes të bukurive të krijimit. Këtu nuk do të vijnë kurrë turmat zhurmëmëdha për ta trazuar, kur takohet me Zotin. Po sikur të arrijnë edhe njerëz të tjerë për të jetuar së bashku me të në lutje? Mirëse të vinë! Kështu Mali Atos do të bëhet vend i shenjtë, truall ku mund të shkelin vetëm murgjërit. Ndërsa kundron perëndimin e diellit të kësaj ndajnate të vitit 957, Atanasi nis të përfytyrojë një manastir, ngritur në zemër të këtyre bukurive. Por, mendon – Mali Atos do të tërheqë shumë më tepër njerëz, sesa zënë muret e një kuvendi… E vërtetë! Në rrjedhë shekujsh, mbi shpatet e Malit Atos do të ndërtoheshin pesë manastire të mëdha, pastaj dhjetë e pastaj njëzet. E vijojnë të jenë përplot. Akoma sot njëmijë e pesëqind murgjër ortodoksë jetojnë në këtë gadishull. Mali Atos u bë një nga vendet më të famshme të lutjes në mbarë botën. E ky vend mahnitës është i gatshëm t’ia hapë portat të gjithë burrave që dëshirojnë të kalojnë ndonjë ditë në lutje, së bashku me murgjërit. Por murgjërit, si Atanasi, nuk duan zhurmë. Për ta heshtja është thesari më i çmuar. Prandaj numri i vendeve për vizitorët, është i kufizuar. E gratë nuk pranohen në gadishull.







All the contents on this site are copyrighted ©.