2008-03-17 18:01:31

Impenjimi i Karitasit të Shqipërisë në tragjedinë e Gërdecit


(17.03.2008 RV)Vazhdon kërkimi i personave të zhdukur në Gërdec të Shqipërisë, pas tragjedisë së rëndë shkaktuar nga shpërthimi i depos së armëve. Viktimat zyrtare janë 15, por bilanci nuk është akoma përfundimtar. Të plagosurit, mbi 300.
Sot paradite, në Vorë mbërriti edhe presidenti Bamir Topi, i cili mori pjesë në mbledhjen e shtabit të emergjencës. Zona nuk konsiderohet akoma jashtë rrezikut dhe banorët nuk janë lejuar të kthehen, pavarësisht nga dëshira për të shpëtuar atë çka mbetet nga pasuria e tyre. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar të rindërtojë shtëpitë e shkatërruara, të cilat e kalojnë numrin 300. Gjithashtu, kanë dëme të rënda 185 dhe rreth 1.800 kanë pësuar dëme më të lehta. Po bëhet problem gjendja e kafshëve të vrara, të cilat duhet të largohen me urgjencë, për të shmangur mundësinë e epidemive. Qeveria ka vendosur të japë rreth 16 mijë euro, si ndihmë të parë për familjet. Ndërkohë vijnë edhe ndihmat nga grupet financiare e bankat shqiptare, të cilat kanë dhuruar sot rreth 50 mijë euro.
Ndërsa vazhdon përpjekja e lavdërueshme e ushtarëve dhe e mbrojtjes civile, e mjekëve dhe e vendeve evropiane, në garë solidariteti për të ndihmuar Vorën, shumë pikëpyetje mbeten akoma pa përgjigje. Duke filluar që nga vendi i zgjedhur për të ngritur fabrikën, ku duhej të çmontoheshin rreth 3 mijë ton municione, për të vazhduar me procedurat e kompanisë amerikane, që duhej të kryente këtë operacion dhe që ka deklaruar se kontrata e saj me qeverinë shqiptare ka përfunduar më 7 dhjetor 2007 e së fundi, me marrjen në punë të grave e të rinjve 18 vjeçarë të fshatit afër, të cilët rrezikonin jetën për një pagë prej 150 mijë lekësh të vjetra në muaj. Prokuroria shqiptare, në hetimet e saj, do të mundohet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. Nuk ka përjashtuar ndërkaq, as mundësinë e sabotazhit, siç deklaroi kryeprokurorja Ina Rama. E duhet sqaruar se përse kompania amerikane “Southern Ammunition” (Sauthërn Amjunishën) ia ka dhënë detyrën e marrë me kontratë nga qeveria e Tiranës firmës shqiptare Alb Demil, pronari i së cilës është arrestuar katër vjet më parë për evasion fiskal dhe mashtrim. Ministri i Mbrotjes, Mediu ka dhënë dorëheqjen.
Gërdeci është zhdukur tashmë nga harta e Shqipërisë, por vazhdon pa pushim ndihma e dhënë nga organizata e shtete për njerëzit e përfshirë në këtë tragjedi. Ndërmjet tyre edhe Karitasi i Shqipërisë, për punën e të cilit na flet nga Tirana drejtori Albert Nikolla:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.