2008-03-16 18:37:20

Gërdec: deri tani 9 të vdekur e mëse 300 të plagosur.


(16.03.2008 RV)“Hiroshima shqiptare”, “Katastrofë”, “Luftë”: kështu titullojnë gazetat e sotme në Shqipëri, artikujt që përshkruajnë gjendjen e tmerrshme të krijuar pas shpërthimit të djeshëm të fabrikës së armatimeve në Gërdec, pranë Vorës. Bilanci i viktimave është gjithnjë i përkohshëm, pasi akoma forcat e policisë e të ushtrisë nuk kanë hyrë në qendrën e shpërthimit, aty ku akoma mendohet se mund të aktivizohen shpërthime të tjera për shkak të temperaturave të larta. Deri tani flitet për nëntë të vdekur, por brenda fabrikës, në momentin e shpërthimit kanë qenë 121 vetë. Numri i të plagosurve rritet vazhdimisht, pasi akoma njerëzit vazhdojnë t’u drejtohen spitaleve. Prononcimi i fundit për shtyp i Ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka fliste për rreth 300 vetë. Problemi kryesor është djegia nga shpërthimi. Personat në rrezik për jetën janë transportuar në Greqi e Itali, pas gatishmërisë së këtyre vendeve për t’i pranuar në spitalet e tyre më të specializuara. Pesë shtete kanë dhuruar gjak dhe plazmë, ndërsa vazhdon solidariteti i qytetarëve të Shqipërisë, që mbajnë radhën për të dhënë gjak. Mjekët vetë, të parët. Skuadra mjekësh dhe ambulanca nga vendet fqinjë janë të pranishme në territor për të ndihmuar sistemin shëndetësor shqiptar të përballojë situatën.
Fabrika ishte hapur nga firma amerikane “Southern Ammunition” (Sauthërn Amjunishën), e cila ka një kontratë me qeverinë shqiptare për çmontimin e predhave të artilerisë. Shtypi shqiptar denoncon sot se punëtorët e marrë në punë nga firma nuk janë të përgatitur me kurse përkatëse, pavarësisht se kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se kjo nuk është e vërtetë dhe se punëtorët që punonin në Gërdec ishin të kualifikuar. Ndërkaq, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit do të hedhë në gjyq shtetin shqiptar.
Vështirësi edhe për banorët që jetojnë përreth Gërdecit. Gati 4 mijë vetë janë shpërngulur e shumë prej tyre nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre të vjetra, të cilat janë rrafshuar me tokën. Nga një vlerësim i parë, janë shkatërruar krejtësisht 318 shtëpi e janë dëmtuar rëndë 185 të tjera.
Qeveria ka vendosur të ngrejë një komision hetimor për të kuptuar arësyet e kësaj tragjedie dhe për të caktuar përgjegjësitë. Shpërthimet në Gërdec kanë përfunduar rreth orës 2.00 të natës së djeshme. Në depo ruheshin gati 3 mijë ton municione, të ardhura nga Kina për regjimin e Enver Hoxhës në vitet ’60. Në Shqipëri ndodhen aktualisht rreth 100 mijë ton municionesh të vjetra, disa edhe të Luftës II Botërore, që duhet të çmontohen, sipas direktivave të NATO-s, organizatë në të cilën Tirana dëshiron të integrohet.
Dëshirën për të ndihmuar popullsinë e zonës së Gërdecit e kanë shprehur edhe emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen. Janë vënë në dispozicion pranë Raiffeisen Bank disa llogari bankare. Të gjithë mund të derdhin një ndihmë në llogarinë me numër 8003890900, për para në euro numri është 8000890900, për paundet britanike 8002890900 dhe për dollarët 8001890900.








All the contents on this site are copyrighted ©.