2008-03-16 16:30:20

Atë Federiko Lombardi reflekton për ‘Udhën e Kryqit” të imzot Rahhos


(16.03.2008 RV)RealAudioMP3 Bashkësia e krishterë irakiane i dha dje lamtumirën e fundit imzot Paulos Faraj Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldejve, që u gjet i vdekur të enjten e kaluar, pasi qe rrëmbyer më 29 shkurt. Gjatë Meshës së dritës, kremtuar pak kilometra larg Mosulit, Patriku i Babilonisë së Kaldejve, kardinali Emanueli III Deli, kujtoi dëshminë e guximshme të prelatit, duke ripohuar me forcë se Kisha nuk merr kurrë hak. Mesha u tha në të njëjtën Kishë, ku u kremtuan edhe salikimet e shoferit dhe të dy rojeve të ipeshkvit, vrarë gjatë sulmit për rrëmbinim e prelatit. Nesër Papa Benedikti XVI do të kryesojë, në Kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” në Vatikan, Meshën Shenjte për shpirtin e imzot Rahhos. Mbi këtë ngjarje dramatike, të ndjekim reflektimin e drejtorit tonë, Atë Federiko Lombardit:

“Imzot Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldejve në Irak, u rrëmbye më 29 shkurt nga një grup terroristësh, duke dalë nga Kisha, ku sapo kishte përfunduar kremtimin e Udhës së Kryqit të së premtes me besimtarët e tij. Kjo Udhë Kryqi u bë udha e tij e Kryqit, udha e Kryqit e jetës së tij, e Kishës së tij, e popullit të tij, udhë që përfundoi me vdekjen e ipeshkvit. Shtangemi para një mizorie kaq çnjerëzore, kaq të pakuptueshme, kaq misterioze. Mysterium iniquitatis. Misteri i mbrapshtisë, i së keqes e i pushtetit të saj. Këtij misteri i përgjigjet gjaku i martirëve, njerëz të paqes, të dashurisë, që i kapërcen kufijtë e urrejtjes e të vdekjes.
Na kujtohen imzot Romero, i vrarë ndërsa kremtonte Eukaristinë në San Salvador; kardinali Posadas Okampo në Gudalahara të Meksikës; ipeshkvijtë kolumbianë Duarte Kançino e Haramiljo, vrarë nga guerrilasit; nunci, imzot Kurtnei, i mbytur në Burundi… e së bashku me ipeshkvijtë, sa meshtarë, sa besimtarë të pafajshëm vrarë në Amerikë, në Afrikë, në Azi. Ku vdes populli, me të vdes edhe Kisha, sepse është pjesë e gjallë e tij. Nuk mund të mos jetë kështu!
E bashkësia e vogël e krishterë në Irak, e paktë në numër, duket se ka tepër nevojë për solidaritetin tonë e për lutjen tonë. Bashkësi tepër e lashtë, që mbijetoi mes dallgësh të furishme, duket se rrezikohet vërtetë të shuhet në situatën e sotme dramatike.
Në telegramin e ngushëllimit, Papa lutet që “Kjo ngjarje tragjike të shërbejë për t’i rikthyer paqen trojeve të martirizuara të Irakut”; e të gjithë urojmë që kjo dhunë ta shkundë e ta rizgjojë ndërgjegjen e atyre që mund të kontribuojnë më shumë për sigurimin e paqes. Feja na mëson se, pasi kryejmë Udhën e Kryqit, presim ringjalljen!







All the contents on this site are copyrighted ©.