2008-03-15 20:05:28

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(16.03.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e Larit e të Mundimeve të Krishtit. Nesër, e hënë, fillon Java e Madhe: kremtohet, pra, e Hëna e Madhe. Këtë ditë Kisha përkujton edhe shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe Shën Gjonin Sarkander, meshtar e martir.

E Hëna e Madhe, ditë e parë e Javës së Madhe na fton të reflektojmë mbi ngjarjet e fundit të jetës së Jezusit, deri në ditën e Pashkëve. Ashtu si Maria në Betani, ftohemi ta nderojmë, me erën e mirë të uratës, Mësuesin që vjen të vizitojë shpirtin tonë e t’i japë jetë.

Kremtojmë pastaj të Martën e Madhe. Është nata e tradhtisë së Judës dhe e tronditjes së thellë të Apostujve, nata kur Gjoni mbështet kokën mbi kraharorin e Mësuesit e Pjetri e mohon. Por sidomos, është nata që pasqyron plotësisht dashurinë e Zotit për njeriun.
Të martën përkujtohet edhe Shën Çirili, ipeshkëv i Jeruzalemit e doktor i Kishës dhe Shën Anselmi, ipeshkëv i Lukës.

Të Mërkurën e Madhe dëgjojmë përsëri pyetjen tragjike të tradhtarit, që vijon të jehojë në rrjedhë shekujsh: “Thua jam unë, o Zot?”. Është një pyetje e tmerrshme që na trondit e na bën të reflektojmë thellë edhe sot. Thua jam unë tradhtari?
Do të përkujtohet të mërkurën edhe Shën Gjoni Abat në sa Papa Jozef Racinger do të kremtojë ditën e emrit.

Liturgjia e Fjalës së Hyjit, që do të ndjekim të Enjten e Madhe, na kujton se kelku i Zotit është dhuratë shëlbuese. Kremtojmë Darkën e Mbrame të Krishtit, të Qengjit që flijohet për shëlbimin tonë. Gjaku i tij lan flligështitë tona e lidh besën e re, përfundimtare, me Zotin. Të ndalohemi për ta adhuruar Sakramentin e dashurisë “deri në fund të fundit”.
Përkujtohet të enjten edhe Shën Gjon Nepomuçeni, meshtar e martir.

Të Premten e Madhe në kujtesën e njerëzimit përsëritet fjala e fundit e Njeriut-Zot që vdes në kryq: “Në duart tua, o Atë, po e lëshoj shpirtin tim!”. Ndjekim, këtë ditë, në lutje, mundimet dhe vdekjen e Krishtit, njeriut të dhimbjeve, njeriut të butë, të shpërfytyruar nga torturat e i afrohemi me besim kryqit të tij, si fronit të hireve.
E premtja na kujton edhe Shën Nikollin e Flyes, Pajtor i Zvicrës.

Varri i Jezusit është zhytur në heshtje të thellë. Eshtë heshtja e së Shtunës së Madhe. Zemra jonë përgatitet për të kremtuar me gëzim Ngjalljen, Pashkët e Zotit.

Vjen pastaj e Diela kulmore e vitit: dita e Pashkëve të ngjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.