2008-03-14 18:43:11

Rubrika "365 ditë": Çirili e Metodi, autorë të alfabetit çirilik


(14.03.2008 RV)Murgu Çiril përkulet paksa para perandorit të Bizantit, Mihalit III.
“Çiril, duke ndjekur urdhërat që të kam dhënë, ti ke shkuar deri tek khacarët, rusët, ukrainasit, bjellorusët, popuj endacakë, ardhur nga stepat e Azisë. Siç e di, unë dëshiroj që e gjithë bota të bëhet e krishterë. Prandaj edhe të nisa t’i kthesh në fenë e krishterë të gjithë popujt, deri në kufijtë më të skajshëm të Perandorisë e përtej. Po tani kam përsëri nevojë për ty: duhet të shkosh në lindje, tek sllavët. Princi i tyre, Ratisllavi, kërkon t’i dërgoj një njeri, që të jetë i aftë për t’ia shpjeguar fenë e krishterë popullit të tij. Çiril, je ti njeriu, për të cilin kanë nevojë sllavët: ti flet gjuhën e tyre, sepse nëna jote është sllave. E di se ti e yt vëlla, murgu Metod, nuk jeni ndarë kurrë, që kur ishit fëmijë: merre, prandaj, edhe atë me vete. E Shpirti Shenjt ju shoqëroftë e ju ndihmoftë që, përmes veprës suaj ungjillëzuese, ta bëni mbarë botën të krishterë”.
Kështu të dy vëllezërit vihen për udhë. Jemi në vitin 862. Gjatë udhëtimit, Çirili nis të reflektojë:
“Metod, na del një problem aspak i lehtë për t’u zgjidhur: si mund t’i ungjillëzojmë popujt sllavë, kur gjuha sllave nuk ka alfabet? Flitet, por nuk shkruhet. E pastaj, ka disa tinguj që ndryshojnë nga ato të greqishtes ose të latinishtes, prandaj nuk mund të shkruhet me shkronjat greke, e as me ato latine…”.
“E pse qenka problem mungesa e alfabetit? Ç’na duhet? Ne e flasim mrekullisht mirë sllavishten e s’ kemi fare nevojë ta shkruajmë”.
“Pa mendo pak më thellë, vëlla i dashur. Kur ti i thua tjetrit ndonjë gjë, ky tjetri mund edhe ta harrojë, ose mund ta përsëritë e mund edhe të keqkuptohet. Kur t’ua shpjegojmë fenë e krishterë sllavëve, mund të mos e kuptojnë drejtë, e kur ne të nisemi e të shkojmë, nuk do të ketë kush t’ua ripohojë të vërtetën, ashtu siç është. Po të kishin libra të shkruar në gjuhën e tyre, do të mjaftonte t’i lexonin, për ta vënë në vend të vërtetën. Kur janë të vërtetë, librat nuk ndryshojnë! Librat nuk duhet të ndryshojnë. Prandaj kam vendosur të krijoj një alfabet, për të shkruar me të Biblën e të gjitha tekstet e krishtera në gjuhën sllave!”.
Metodi e shikon të vëllanë me sy të zgurdulluar: është njeriu i parë që dëgjon të flitet për alfabetin ‘çirilik’, alfabet që e përdorin edhe sot e kësaj dite rusët dhe popullsitë e tjera të Evropës lindore. Falë këtij alfabeti, Çirili e Metodi ia dalin mbanesh ta përhapin fenë e krishterë shumë më gjërë sesa shpresonte perandori Mihali III.
Kështu Çirili e Metodi i bënë një dhuratë të dyfishtë popullsive të Evropës lindore: i bënë të njohin Krishtin e u dhuruan alfabetin. Për t’i falënderuar për këtë që bënë, Papa Gjon Pali II, më se njëmijë vjet pas vdekjes së tyre, i shpalli Pajtorë të Evropës, së bashku me Shën Benediktin!







All the contents on this site are copyrighted ©.