2008-03-14 18:47:38

Dhimbje e mallëngjim në funeralin e kryeipeshkvit të Mosulit në Irak


(14.03.2008 RV)RealAudioMP3 Mijëra njerëz, ndër të cilët ipeshkvij, besimtarë të krishterë e myslimanë morën pjesë sot në funeralin e kryeipeshkvit kalde të Mosulit, imzot Rahho, trupi pa jetë i të cilit u gjet dje. Kujtojmë se ipeshkvi u rrëmbye nga një komando e armatosur më 29 shkurt.
Në fshatin Karamles, ku janë varrosur edhe tre personat e tjerë që u vranë në momentin e kapjes së ipeshkvit, kortezhi i përmortshëm u kryesua nga ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni e nga kryeipeshkvi siro-katolik i Mosulit, imzot Georges Kasmusa. Meshën e përshpirtshme e kremtoi Patriku i Babilonisë së kaldejve, kardinali Emanuel III Deli. Për atmosferën që shoqëroi funeralin të dëgjojmë motër Ivën nga murgeshat e Urdhërit “Bijat e Zojës së Papërlyer”:
Kishte shumë njerëz: të krishterë, myslimanë, patriku, nunci, shumë meshtarë. Ne të krishterët nuk e humbim fenë, përkundrazi, ajo na jep forcë. Sepse ne bëjmë pjesë në histori, në fillesat e këtij vendi. Nuk kemi frikë, kemi fenë, kemi guximin. Pavarësisht nga ç’ndodhi, njerëzit luten.
Gjatë kalimit të kortezhit të përmortshëm, heshtja e pikëlluar e njerëzve u prish vetëm nga këngët funebre. Në anët e rrugës, shumë gra me lule në duar, ia dhanë vajit kur kalonte arkivoli i mbuluar me degë ulliri, që mbahej nga besimtarët. Imzot Rahho e donte Irakun. Këtë kujtojnë njerëzit. Këtë kujton edhe administratori patriarkal i Erbilit, imzot Rabban al Kas, në mikrofonin tonë:
Ipeshkvi nuk ishte vetëm ipeshkvi i të krishterëve, është bir i qytetit të Mosulit. Portat e ipeshkvisë ishin të hapur për këdo, jo vetëm për të krishterët, por edhe për arabët. Terrorizmi nuk do të jetë fundi i miqësisë sonë. Jemi të bashkuar në mbrojtjen e të krishterëve nga terroristët.
Të krishterët në Irak janë gati 1 milion, prej të cilëve 600 mijë kaldej. Gjithsesi, në këtë moment, është e vështirë të jepen shifra, për shkak se njerëzit janë zhvendosur në Siri e Jordani, ose edhe përbrenda Irakut, për t’u larguar nga lufta. Mosuli konfirmohet si qyteti më i rrezikshëm për të krishterët. Vetëm në vitin 2007 janë vrarë aty së paku 13 të krishterë e janë rrëmbyer dy meshtarë e një ipeshkëv. Për të gjithë Irakun, bilanci i viktimave në aksione të dhunshme për vitin e kaluar, është 47 të vrarë të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.