2008-03-13 19:06:45

Gjendet trupi pa jetë i kryeipeshkvit të Mosulit imzot Rahhos. "Akt dhune çnjerëzore", shkruan Papa


(13.03.2008 RV)RealAudioMP3 “Një akt dhune çnjerëzore”: kështu e përkufizoi Papa Benedikti XVI vdekjen tragjike të kryeipeshkvit të Mosulit, imzot Faraj Paulos Rahho, rrëmbyer më 29 shkurt në Irak. Në një telegram dërguar Patrikut të Babilonisë së Kaldejve, kardinalit Emanuel III Deli, Ati i Shenjtë shpreh dhimbjen e tij për këtë ngjarje tragjike dhe shfaq “afërsinë e veçantë” me kishën kalde e me krejt bashkësinë e krishterë të vendit. Papa ripohon dënimin e vendosur ndaj këtij akti çnjerëzor që fyen dinjitetin e njeriut dhe dëmton rëndë bashkëjetesën vëllazërore në gjirin e popullit irakian. Benedikti XVI siguron se lutet me zjarr për shpirtin e bariut të atij populli, që u sekuestrua pikërisht në fund të kremtimit të “Udhës së Kryqit”. Të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Lajmi i vdekjes së imzot Rahhos, rrëmbyer në ditët e kaluara, e godet dhe i shkakton dhimbje të thellë Atit të Shenjtë, i cili u informua menjëherë. Të gjithë vazhdonim të shpresonim dhe të luteshim për lirimin e tij, ashtu siç kishte kërkuar Papa disa herë në thirrjet e veta. Fatkeqësisht, dhuna më absurde dhe e pajustifikuar vazhdon të shfryjë furinë e vet mbi popullin irakian e në veçanti, mbi bashkësinë e vogël të krishterë, me të cilën Papa dhe të gjithë ne jemi afër me lutje e solidaritet në këtë moment dhimbjeje të madhe. Është për të ururar që kjo ngjarje tragjike të zgjojë edhe një herë e me më shumë forcë, impenjimin e të gjithëve e në veçanti, të bashkësisë ndërkombëtare për paqtimin e një vendi kaq të martirizuar.
Lajmin për gjetjen e trupit të kryeipeshkvit kalde të Mosulit, imzot Rahhos e dha për agjensinë katolike Sir, ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni. “Imzot Rahho vdiq. E gjetëm pa jetë pranë Mosulit. Rrëmbyesit e kishin varrosur”: këto qenë fjalët tragjike të imzot Vardunit. Kanë qenë vetë rrëmbyesit ata që dje kanë lajmëruar ipeshkvin se imzot Rahho kishte vdekur e sot dhanë informacionin mbi vendin e varrosjes së tij. “Nuk e dimë akoma – sqaroi imzot Varduni – nëse ka vdekur për arësye të shëndetit, apo e kanë vrarë”. Komandoja e armatosur e pati kapur në fund të “Udhës së Kryqit” në Mosul e pati kërkuar edhe një shumë të madhe parash për ta liruar. Në aksionin e kapjes, rrëmbyesit patën vrarë tre persona, që ishin me kryeipeshkvin.
Tre herë Papa Benedikti XVI pati bërë thirrje për lirimin e imzot Rahhos. E fundit, të dielën e kaluar, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot. Kryeipeshkvi ishte i sëmurë e vitin e kaluar kaloi edhe një operacion shumë të vështirë. Si i përgjigjet kisha kalde këtij lajmi tragjik? Të dëgjojmë Vizitatorin apostolik për besimtarët kalde në Evropë, imzot Filip Nazhim:
Shpresojmë që martirizimi i imzot Rahhos t’i shërbejë Irakut dhe pajtimit. Ai vdiq, por Kisha është gjallë akoma, vazhdon misionin e saj e ne të gjithë vazhdojmë dëshminë tonë si të krishterë në të gjithë botën. Të lutemi për Irakun, për besimtarët tanë e për popullin irakian. Të lutemi edhe për qeverinë, që ta kuptojë me të vërtetë përgjegjësinë e saj në mbrojtjen e qytetarëve, të cilët u kanë dhënë besim këtyre politikanëve. E t’i kërkojmë Zotit të gjithpushtetshëm t’i japë paqe Irakut dhe gjithë popullit irakian.
E tani është momenti i heshtjes dhe i lutjes…
Ashtu është. Ky gjak shërbeftë për arritjen e paqes në Irak, sepse është gjak i pastër, gjak feje. Është gjak të krishterësh që japin jetën për të tjerët. E të tjerët do ta kuptojnë mirë domethënien e vërtetë të paqes, të respektit për jetën njerëzore, për njeriun, për dhuratën e shenjtë të Zotit që është jeta. Do ta kuptojnë këtë gjë në Irak, tokë ku ka lindur feja, sepse është toka e Abrahamit. Është edhe toka ku Zoti iu zbulua botës për herë të parë.
Papa ka bërë mëse një thirrje për lirimin e imzot Rahhos. Tani ç’thirrje mund të bëjmë për Irakun?
Paqe, dialog, pajtim dhe respekt për dhuratën e Zotit që është jeta. Duhet të respektohen irakianët, të drejtat e tyre, që të bëjnë një jetë normale, një jetë që t’u japë atyre mundësinë të hyjnë në bashkësinë ndërkombëtare. Shpresoj që kësaj radhe ndërgjegjia e bashkësisë ndërkombëtare të zgjohet e të bëjë diçka për Irakun. Shpresoj që të ndalet ky det gjaku, këto valë njerëzish që ikin nga vendi. Shpresoj të ndërpritet ku fluks emigrantësh, njerëzish që kërkojnë paqen, një jetë normale. Ky nuk është model demokracie, as model i një bote të qytetëruar. Ky është një model katastrofe natyrore, kundër njeriut, kundër popullit irakian e kundër krejt Irakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.