2008-03-12 17:37:41

Rubrika "365 ditë": Inkmari i Reimsit, njeriu i statistikave dhe i pyetësorëve


(12.03.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në vitin 845 e Inkmari sapo është emëruar ipeshkëv. Për ta njohur më mirë dioqezën e tij, përgatitet të bëjë një shtegtim të gjatë. Dëshiron t’i vizitojë të gjitha kishat që i janë besuar. Nuk niset, pra, për turizëm, por për vizitë baritore, për t’i ndihmuar drejtpërdrejtë klerin e besimtarët. Prandaj ka përgatitur edhe një pyetësor shumë të hollësishëm, me pyetje të kësaj natyre: “A kanë bibliotekë famullitë? Sa libra ka biblioteka? Është hapur pranë famullisë ndonjë shkollë për fëmijët? Si është vepruar për të mos lejuar që zogjt t’i bëjnë foletë në kishë? A kremtohet Mesha sipas rregullave të përcaktuara? … Një listë e gjatë pyetjesh… Inkmari e di se disa prej tyre janë disi qesharake, sepse tepër konkrete e të hollësishme. Por ai dëshiron t’i ndihmojë meshtarët e besimtarët, prandaj duhet ta njohë me fund jetën. E t’i bëjë edhe ata ta njohin. Kështu të dyja palët do t’i shërbejnë si duhet Kishës së Reimsit.
E, përsa i përket Kishës… Inkmari e lë mënjanë pyetësorin e niset drejt katedrales. Sapo t’i krijohen mundësitë, do të bëjë një vizitë në kantier. Paraardhësi i tij, Eboni, ka filluar punimet për ndërtimin e katedrales së re, e Inkmari dëshiron t’i vijojë e t’i përfundojë, për ta bërë katedralen ‘e tij’ sa më të bukur, më të bukurën në të gjithë mbretërinë.
E pastaj në mbretëri - mendon Inkmari - mendja e ndritur e të cilit kalon nga një ide tek tjetra… punët nuk shkojnë fare mirë. Dy vjet më parë, në vitin 843, perandoria e vjetër e Karlit të Madh u nda ndërmjet të nipave me traktatin e Verdunit. Por menjëherë pas këtij traktati, u ndez sherri, siç ndizet gjithnjë kur sundojnë njerëz që i kundërvihen njëri-tjetrit, madje që e urrejnë njeri-tjetrin. Ç’ pasoja do të ketë vendi? Pasojat e sherreve e të grindjeve nuk janë kurrë të mira. Madje historia na bind se sherri e shkatërrimi shkojnë krah për krah. E që t’i jepet fund grindjeve, Francës i duhet një mbret i denjë për ta sunduar. Inkmari nuk ka pikë dyshimi. Vendin duhet ta sundojë Karli i shogët. Ipeshkvi ka nisur ta përkrahë që në fillim. E do të vijojë ta mbështesë me gjithë shpirt. Ndonëse tepër modest, ai e di mirë se ka në dorë forca, që tundin malet! Në moshën dyzetvjeçare i ngjet vullkanit, prej kraterit të të cilit vërshon ditë për ditë një llavë e zjarrtë energjish e idesh për vendin e për Kishën. E ndjen se është i zoti të ndikojë fuqimisht mbi ardhmërinë e Francës.
Historia do t’i kujtojë aftësitë e shkëlqyera organizative dhe vendosmërinë e patundur të Inkmarit. Ishte ipeshkëv ideal për një epokë krize; gjithnjë i vetëdijshëm për atë që kërkonte. Mbi të gjitha, donte ta bënte Reimsin qytet model. E ia doli mbanesh plotësisht. Në shekujt që pasuan, mbretërit e Francës e bënë zakon të kurorëzoheshin në katedralen madhështore, plot me vepra të papërsëritshme arti e feje, që u krye pikërisht në kohën e ipeshkvit Inkmar.







All the contents on this site are copyrighted ©.