2008-03-12 17:31:33

Raport i "Mjekëve pa kufi" mbi krizat e harruara


(12.03.2008 RV)U paraqit sot në Sallën e jashtme të Shtypit në Itali, raporti i katërt vjetor mbi krizat e harruara, përpiluar nga organizata “Mjekët pa kufi”. Dokumenti përmban dhjetë krizat humanitare më të harruara nga mediat ndërkombëtare gjatë vitit 2007. Flet në mikrofonin tonë Kostas Moskokoritis, drejtori i seksionit italian të organizatës:
Emergjencat kanë të bëjnë me: tuberkulozin, një sëmundje që vret 2 milion njerëz çdo vit; Zimbabven, ku në një popullsi prej 12 milion vetësh, një milion e 800 mijë janë të sëmurë me Sidë, me një sistem shëndetësor krejtësisht të shkatërruar; ushqimin e keq, që është shkaktar për vdekjen e 5 milion fëmijëve nën 5 vjeç çdo vit; konfliktet e armatosura në Sri Lanka dhe Çeçeni; Republikën Demokratike të Kongos, ku , pavarësisht nga zhvillimi i zgjedhjeve të para pak a shumë demokratike të një viti më parë, në rajonet e Lindjes vazhdon lufta civile; vendin e tretë në botë për nga numri i të shpërngulurve pas Sudanit dhe Kongos, Kolumbinë, ku 3 milion e 800 mijë vetë ikin nga një konflikt që zgjat që prej 40 vjetësh; Birmaninë ku për shkak të kushteve politiko-shoqërore, kurimi mjekësor është pothuaj i pamundur; e përfundoj me Republikën e Afrikës Qendrore, për të cilën gjatë vitit të kaluar nuk është dhënë asnjë lloj lajmi, po ku që nga viti 2005 vazhdon një luftë civile e përgjakshme; e së fundi Somalinë, ku pas fitores së forcave të qeverisë së përkohshme dhe forcave etiope në qershor 2006, ndeshjet janë përhapur në të gjithë vendin, sidomos në Mogadisho, dhe ku asistenca shëndetësore është minimale.







All the contents on this site are copyrighted ©.