Feith: UNMIK-u nuk është i serbëve dhe Eulex-i i shqiptarëve
(12.03.2008 RV)Kreu i Eulexit në Kosovë, Peter Feith, në deklarata për mediat
serbe, ka kërkuar që misioni evropian të veprojë në krejt territorin e vendit e të
mos ia lerë veriun vetëm UNMIK-ut. Sipas Feith, fakti që UNMIK-u po spostohet në veri
mund të krijojë idenë e gabuar se ai është i serbëve, ndërsa Eulexi i shqiptarëve.
Gjithashtu, Feith e ka bërë të qartë se ndërtimi i shtetit të ri u takon organeve
kompetente kosovare dhe ai do të përdorë pushtetin e tij vetëm nëse është me të vërtetë
e nevojshme. Përsa i përket policëve serbë, që janë larguar nga UNMIK-u, Feith theksoi
se dyert janë të hapura, por Beogradi u jep atyre rroga më të larta.
Gjatë
këtij viti, Kosova do të hapë rreth 20 ambasada në të gjithë botën. Deri tani,
vendet që e kanë njohur Kosovën zyrtarisht janë 27, por shumë të tjerë kanë deklaruar
se do ta njohin. Përparësia e qeverisë në këtë moment është pjesëmarrja në Fondin
Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
U hap sot në Prishtinë
konkursi për himnin kombëtar të Kosovës. Siç shpjegoi kreu i parlamentit, Jakup
Krasniqi, himni duhet të ndjekë rregullat e sugjeruara nga plani i Ahtisarit. Konkursi
do të vazhdojë për 30 ditë e kompozimet e propozuara nuk duhet të jenë më të gjata
se 60 sekonda e më të shkurtra se 30. Tani për tani, Kosova përdor himnin e Bashkimit
Evropian.