2008-03-12 17:23:16

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme dënon burgosjen dhe torturimin e njerëzve për shkak të ideve e kërkon thellimin në temat kulturore dhe etike.


(12.03.2008 RV)RealAudioMP3 “Thirrje në mbrojtje të të gjithë atyre që burgosen padrejtësisht e, jo rrallë, edhe torturohen për shkak të ideve të tyre politike e fetare - dhe vetëdije se, në një kohë jo të lehtë për integrimin e kulturave, mundësia që ato të jetojnë në harmoni, mund të realizohet vetëm me ndihmën e Zotit”. Këto ishin dy temat kryesore të katekizmit të Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Duke i kushtuar vëmendje të veçantë edhe shkollës e qëllimeve të mësimit, Papa i ftoi pedagogët e të gjitha shkollave t’i thellojnë mesazhet kulturore dhe etike, pa u kufizuar thjeshtë në transmetimin e nocioneve. Përfundoi, pastaj, me një përshëndetje krejt të veçantë në gjuhën latine, drejtuar një instituti suedez, që ua mëson këtë gjuhë një numri të madh nxënësish.
Boecio e Kasiodori: dy njerëz mendjemprehtë, në kapërcyell të historisë, në sa kultura greko-romake perëndon e, jo pa dhimbje, zevendësohet me vlerat e popujve të rinj, Ostrogotëve e Gotëve. Benedikti XVI foli për këto dy figura që, ashtu si shumë shpirtëra të tjerë fisnikë, u përpoqën të përdorin kategoritë e filozofisë greke, për të propozuar fenë e krishterë dhe kërkuan mundësinë e pajtimit e të harmonisë ndërmjet trashëgimisë helenistiko-romake dhe mesazhit ungjillor. Njëkohësisht u përpoqën edhe të shkrinin, në një kulturë të re, tiparet më të rëndësishme të shoqërisë romake me vlerat e popujve të rinj veriorë të shekullit V. Boecio e pagoi këtë impenjim intelektual me shumë vjet burgimi e, pastaj, edhe me jetë. Prandaj Papa e paraqiti si simbol të luftës kundër padrejtësive, që vërehen shpesh edhe sot, në përpjekjen për të ushtruar drejtësinë njerëzore.
“Çdo i burgosur, pavarësisht nga shkaku i mbylljes në qeli, e ndjen sa i rëndë është ky dënim njerëzor, posaçërisht kur shoqërohet edhe me tortura, siç i ndodhi Boecios. Edhe më absurd është përdorimi i torturës, deri në vdekje, pa kurrfarë arsyeje tjetër, përveç ndryshimit të bindjeve politike e fetare, si në rastin e Boecios, të cilin Pavia e njeh dhe e kremton në liturgji, si martir të fesë. Simbol i një numri të pafund njerëzish të burgosur padrejtësisht në të gjitha kohërat e në të gjitha vendet, Boecio është porta objektive e hyrjes në kundrimin e misterit të të Kryqëzuarit të Golgotës”.
Edhe nga qelia e tij – vijoi Ati i Shenjtë – i cili në përfundim përshëndeti një grup të burgosurish nga burgu i Lançianos – Boecio nuk pushoi kurrë s’e kërkuari Zotin, ‘të mirën e pambaruar drejt së cilës, me ose pa vetëdije, priret çdo qenie njerëzore’. Drama e burgimit mizor, nuk e bëri kurrë të përkulej, aq më pak, të thyhej. Përkundrazi, e nxiti ta refuzonte pranimin fatalistik të vuajtjes, sepse një pranim i tillë – pohonte Boecio – mohon shpresën për ta takuar Hyjin në lutje”.
“Në burg (Boecio) kërkon ngushëllim, kërkon dritë, kërkon urti. E na tregon se diti t’i dallojë, edhe në këto kushte, të mirat në dukje, që në burg zhduken fare – nga të mirat e vërteta, që nuk zhduken as në burg. Miqësia, për shembull. E sidomos të mirën e pambaruar, që është Zoti”.
Bashkëkohës me Boecion, edhe Kasiodori – shpjegoi Benedikti XVI – u përpoq të mos binte në harresë gjithë pasuria njerëzore e humanistike, e grumbulluar në shekujt e artë të Perandorisë romake. E që kjo të mos ndodhte, pati një intuitë, vendimtare për fatet kulturore, kryesisht të Evropës:
“Konceptoi idenë t’ua besonte pikërisht murgjërve detyrën për ta shpëtuar, për ta ruajtur e për t’ua transmetuar pasardhësve, pasurinë e pafundme kulturore, të trashëguar nga lashtësia, që kështu të mos humbiste. Për ta realizuar këtë, themeloi Vivarium, një kuvend në të cilin gjithçka ishte organizuar në mënyrë të tillë, që puna intelektuale e murgjërëve të shikohej si veprimtari tepër e nderuar, e çmuar dhe e pazëvendësueshme. E kjo, pa i prekur fare detyrat shpirtërore monastike e të krishtera si dhe veprimtaritë bamirëse në ndihmë të më të varfërve”.
Ashtu si të mërkurën e kaluar, Papa u ndalua për pak çaste në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të përshëndetur turmën e besimtarëve, para se të shkonte në Sallën e Palit VI. Ishte një turmë e përbërë kryesisht nga studentë, me të cilët Benedikti XVI reflektoi për mësimin, në një kohë kur shkolla ndodhet para sfidave të shumta që krijohen në fushën e edukimit të breznive të reja:
“Për këtë arsye, shkolla nuk mund të jetë vetëm vend i marrjes së nocioneve, por është e thirrur t’u krijojë nxënësve mundësitë t’i thellojnë mesazhet e vlefshme me karakter kulturor, etik e fetar. Kush jep mësim, nuk mund të mos i perceptojë dhe aspektet morale të çdo diturie njerëzore, sepse njeriu mëson për të vepruar e veprimi është fryt i mësimit”.
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, urimi i Benediktit XVI në gjuhën latine, drejtuar studentëve të institutit suedez të Skorës, “Schola Cathedralis Scarensis”, në të cilën jepet mësim në gjuhën latine, që është edhe lënda kryesore:
“Volumus omnio eorum confirmare et incitare…”.
“Dëshirojmë t’i nxisim të thellohen në studim, ndërsa këtu në Romë, vizitojnë gjurmët e qytetërimit të krishterë e të romakëve të lashtë: uroj që kjo përvojë ta përsosë pasurinë e tyre njerëzore e shpirtërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.