(12.03.2008 RV)Dhunë e re në Irak. Edhe sot numërohen shumë viktima civile
e amerikane, në atentate në Bagdad. Ndërkaq, në gjirin e kishës kalde, e jo vetëm
në të, rritet shqetësimi për fatin e imzot Faraj Paulos Rahho, rrëmbyer në Mosul më
29 shkurt. Kaldejtë e Irakut dhe të diasporës ia kushtuan ditën e sotme lutjes dhe
agjërimit për t’i kërkuar Zotit lirimin e ipeshkvit të Mosulit.
Kandidati
demokrat amerikan për president, Barak Obama fitoi në primaret e Misisipit,
duke e përshpejtuar kështu vrapin drejt Shtëpisë së Bardhë. Në këtë shtet, afro-amerikanët
janë shumica e të gjitha votat kanë shkuar për Obamën, duke nënshkruar kështu një
dështim tjetër për Hilari Klintonin. Kjo e fundit po përpiqet të fitojë zgjedhjet
në Pensilvani, ku më 22 prill duhen bërë për vete 151 delegatë.
Hamasi
pret akoma një përgjigje nga Izraeli për armëpushimin në Rripin e Gazës. Sqarimin
mbi supozimet, shpesh kontradiktore, të kohëve të fundit, i dha lideri i grupit radikal,
Hanijeh, i cili shtoi edhe se po bëhen bisedime ndërmjet fraksioneve të ndryshme palestineze
për të arritur në një qëndrim të vetëm. Ndër kërkesat kryesore janë fundi i sulmeve
izraelite, heqja e embargos mbi Rripin e Gazës dhe hapja e kalimeve kufitare.
Atentat
kamikaze kundër një karvani të NATO-s në Afganistan. Ka humbur jetën një civil,
por asnjë viktimë ndër ushtarët kanadezë. Sulmi u mor përsipër nga talebanët. Ndërkaq,
komanda e aleatëve ka pranuar se të hënën, gjatë një operacioni kundër forcave rebele,
janë vrarë katër civilë, dy gra e dy fëmijë.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare
të së premtes në Iran, Kreu suprem fetar iranian, ajatollahu Ali Khamenei i ka
kërkuar popullsisë të zgjedhë ndër kandidatët e gatshëm ta ndihmojnë e jo nga radhët
e atyre që “armiku” do të donte t’i shihte në parlament. Ajatollahu i referohet vizitës
në SHBA të zëdhënësit të deputetëve reformistë. Nga konsultimet elektorale janë përjashtuar
40% e kandidatëve dhe janë pranuar 4.500 vetë.
Procesi i bashkimit të Qipros
ka një datë fillimi. U fiksua për në 21 mars në Nikozi, takimi ndërmjet presidentit
të ri qipriot, Demetris Kristofias dhe liderit turko-qipriot Mehmet Ali Talat. Bisedimet
janë pezulluar që nga viti 2004, kur me referendum u hodh poshtë plani i propozuar
nga sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Anan.