2008-03-11 19:35:41

“Derdhur për ju e për të gjithë”: tema e Ditës kushtuar misionarëve martirë më 24 mars


(11.03.2008 RV)Do të përkujtohen më 24 mars, në përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit të Salvadorit, imzot Oskar A. Romero më 1980, të gjithë misionarët e vrarë në botë. Dita e lutjes dhe e agjërimit, e cila filloi të kremtohej në vitin 1993 me iniciativën e Lëvizjes Rinore misionare të Veprave Papnore Misionare italiane, kujtohet në shumë vende të botës, ku dioqezat dhe institucionet fetare kryejnë aktivitete të ndryshme në nder të misionarëve martirë dhe të të gjithë atyre që kanë derdhur gjakun për Ungjillin. Këtë vit, kjo ditë përkon me të hënën pas Pashkëve e për këtë arësye – informon agjensia katolike Fides – është zgjedhur një temë që pasqyron atmosferën e Pashkëve: “Derdhur për ju e për të gjithë”. Kjo temë, që i referohet pa dyshim flijimit të Krishtit, na fton të reflektojmë mbi misterin që këto fjalë të Jezusit bartin mbi vete dhe mbi lidhjen që ekziston me martirizimin e shumë dishepujve, që përçojnë në botë Ungjillin e tij. Gjatë kësaj dite do të grumbullohen oferta, që do të përdoren për ndërtimin e një Qendre baritore për fëmijët dhe të rinjtë në Irak, ku Kisha Katolike përjeton një gjendje të vazhdueshme sfide dhe vuajtjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.