2008-03-11 19:19:50

Të drejtat njerëzore në udhën e ballafaqimit.Themeloret Forumi mes katolikëve e mysulmanëve


(11.03.2008 RV)RealAudioMP3 “Dialogu duhet të bëhet edhe konkretisht”. Kështu shpjegon kardinali Zhan-Lui-Turon, president i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, objektivin e Forumit katoliko-islamik, në program në Romë, nëntorin e ardhshëm. Do të marrin pjesë 24 delegatë katolikë e 24 myslimanë, të cilët do të përfaqësojnë 138 nënshkruesit e letrës së dërguar Papës Benedikti XVI dhe përgjegjësve të kishave të krishtera, në tetorin e kaluar. Në ditën e fundit të takimit, ata do të priten nga Ati i Shenjtë. Për të përcaktuar objektivat e këtij Forumi u mblodhën kohët e fundit në Vatikan 5 krerë myslimanë dhe një delegacion katolik i kryesuar nga vetë kardinali Turon, që përshkruan në mikrofonin tonë frymën e bashkëpunimit të krijuar:
Klima e këtij takimi ishte shumë e përzemërt dhe personat shumë të përgatitur. E kanë kuptuar mjaft mirë nevojën që dialogu ndërfetar duhet të ketë një aspekt konkret. Prandaj, kemi menduar të krijojmë këtë strukturë dialogu gjithnjë të hapur, këtë forum kristiano-mysliman, i cili jo vetëm do të na mundësojë takime të rregullta, por edhe, në rast nevoje, të zgjidhim menjëherë ndonjë keqkuptim, ndonjë krizë. Pra, një bashkëpunim efektiv, shprehje e përmirësimit të klimës.
Një konfrontim pra, mbi tematikat shpirtërore dhe teologjike, por edhe mbi aspekte konkrete, siç është parimi i reciprocitetit dhe situata e vështirë e shumë të krishterëve që jetojnë në vendet arabe…
Reciprociteti: folëm edhe për këtë nevojë, që të krishterët në vendet arabe të kenë një vend kulti, e cila është më e pakta që mund të kërkohet, edhe sepse myslimanët vetë ngulën këmbë në faktin se në Kuran thuhet se për fenë nuk ka detyrime e shtrëngime. Nëse kemi një dialog ndërfetar të strukturuar, të vazhdueshëm, kjo nuk mund të mos ketë rrjedhoja, sidomos në nivelin e drejtuesve, që do të jenë më të gatshëm ta shohin situatën dhe të gjejnë zgjidhje sipas së drejtës ndërkombëtare.
Tani për tani, dialogu ka filluar vetëm me pjesën e moderuar të Islamit. Si i bëhet me ekstremizmat e me sektorët islamikë që e konsiderojnë armik Perëndimin dhe krishterimin?
Unë mendoj se duhet ndërhyrë me edukim, të bazuar mbi mësimet e historisë, të fesë. Shkolla është shumë e rëndësishme. Nga njëra anë kemi kishën, nga ana tjetër xhaminë e shkolla është në mes. Pikërisht në shkollë të rinjtë mësojnë si të jetojnë sëbashku, si ta bëjnë një pjesë të rrugës bashkë.
Në dritën e këtyre lajmeve të reja, keqkuptimet e lindura në Ratisbonë, sipas jush, janë kapërcyer sot?
Duhet të them se sëbashku me bashkëpunëtorët e mi, që prej gjashtë muajsh jam në krye të Këshillit Papnor. Rrallë është përmendur Ratisbona. Mendoj se Papa e ka shpjeguar mirë ç’donte të thoshte dhe keqkuptimi tashmë është zgjidhur.







All the contents on this site are copyrighted ©.