2008-03-11 19:05:06

Imzot Dodë Gjergji: kurrë më vrasje, të respektohet jeta e çdo njeriu!


Jeta e njeriut është dhuratë e çmueshme e Zotit e këndej vlera më e shtrenjtë dhe më e shenjtë që lypet ruajtur, mbrojtur, kultivuar, dashur e dhuruar të tjerëve për dashuri e me dashuri. Kështu pohon mes tjerash ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergjin në letrën e tij baritore drejtuar besimtarëve katolikët të Vendit në të cilën dënon vrasjen e hakmarrjen dhe bën thirrje për pajtim vëllazëror. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie IbrajtRealAudioMP3

Ja tani teksti i plote i letres baritore te ipeshkvit te Kosoves.

LETËR BARITORE E IMZOT DODË GJERGJIT FAMULLIVE KISHTARE TË KOSOVËS
“Zoti është pronari i vetëm i jetës së njeriut, vetëm Ai ka të drejtë t’ia japë apo t’ia marrë atë dikujt”

Vëllezër e motra, besimtarë të dashur!
Me dhembje të madhe në shpirt dhe me pikëllim të thellë në zemër përcjellim disa ngjarje tragjike, vrasje në mesin e besimtarëve tanë, që rrënojnë dhuratën më të çmueshme të Zotit, jetën e njeriut, dhe veshin në zi shumë familje tona.
Shkrimi i Shenjtë na mëson shumë qartë se: “Hyji e krijoi njeriun në përngjasimin e vet...” (Zan 1, 27). Kjo e vërtetë biblike na tërheq vëmendjen tonë prej besimtari se njeriu ka dinjitet të shenjtë dhe nga kjo shenjtëri buron respektimi i jetës ndaj çdo personi pa dallim. Hyji deshi që njeriu të jetojë në pajtim të vazhdueshëm me Krijuesin e vet dhe me njeriun vëlla-motër.
Fatkeqësisht, kjo gjendje e parë e përngjasimit të Zotit në shenjtëri dhe vëllazëri nuk zgjati shumë, sepse Djalli e mashtroi njeriun dhe njerëzit e parë bënë mëkatin burimor apo të rrjedhshëm, dhe ai u prish me Zotin, me njëri-tjetrin aq shumë sa që erdhi edhe te gjakderdhja dhe vëllavrasja e parë, kur Kaini e ngriti dorën kundër Abelit duke e vrarë atë. Hyji e thirri në përgjegjësi Kainin duke i thënë kështu: “Po çka bëre? Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut...” (Zan 4, 10). Ky zë i gjakut, mjerisht, s’është ndalur të bërtasë nëpër shekuj, duke u lartësuar deri në Fronet e Tejetlartit Hyj.
Sa gjaku i pafajshëm është derdhur me shekuj në trojet tona dhe pret drejtësi dhe thërret në përgjegjësi!
Vlerën e jetës së njeriut Zoti e mbron dhe e sanksionon edhe me Urdhrin e pestë, i cili qartas dhe vendosmërisht përcakton: “Mos vra!” (Dal 20, 13). Sepse vrasja është shëmtimi më i madh ndaj vlerës së jetës së njeriut. Prandaj, përmes urdhrit të sanksionimit të vrasjes, Hyji ka dashur ta mbrojë njeriun prej njeriut, e njëkohësisht ta edukojë për të qenë respektues i të tjerëve.
Shëlbuesi ynë Jezu Krishti është bërë për ne Njeri, Flijim në kryq për të na pajtuar me Atin dhe me njëri-tjetrin. Ai me urdhrin e dashurisë e ka ngritur dashurinë ndaj të afërmit në shkallën e dashurisë ndaj Hyjit, duke dashur që në shoqërinë tonë të mbizotërojë dashuria e ndërsjellë, të ndalohet cenimi dhe dhuna ndaj tjetrit, sepse çdonjëri është përngjasim i Fytyrës së Tij.
Në këtë kuptim, Papa Gjon Pali II në emër të mësimit të Kishës Katolike dhe të traditës së krishterë thoshte:“Dhuna nuk është e denjë për njeriun... Dhuna shkatërron atë që mendon se po mbron: dinjitetin, jetën, lirinë e qenieve njerëzore.”, dhe vazhdon: “Vetëm dashuria mund ta ndërrojë plotësisht njeriun” (Gjon Pali II, Discorso presso Droghda, Irlandë, 29 shtator 1979, në: AAS 71).
Vrasjet e rënda në mesin e njerëzve tanë, që kohët e fundit kanë ndodhur në vendin tonë konsiderohen si shëmtim dhe rrënim i dashurisë vëllazërore dhe të krishterë. Aq më tepër, këto ngjarje janë të dhimbshme tani pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kurorëzim ky i nevojave, dëshirave dhe aspiratave tona shekullore, që së fundi na mundëson edhe neve, që të jemi pjesë e Evropës së qytetëruar.
Tash kur të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës kanë mundësi të barabarta para ligjit për të jetuar dhe punuar lirisht, për t’i shprehur aftësitë e tyre njerëzore, familjare dhe profesionale, gjithnjë në të mirë dhe në dobi të vetvetes dhe të shoqërisë sonë, dukuritë e përçarjeve dhe vrasjeve ia ndalin hovin e rritjes dhe të përparimit vendit tonë.
Kuptojmë ngarkesat dhe ngatërresat e shumëfishta shekullore, sidomos ato para, gjatë dhe pas Luftës së viti 1999, si dhe vështirësitë e ndryshme për qytetarët tanë. Mirëpo askush kurrë s’ka të drejtë t’ia marrë vetvetes apo tjetrit jetën! Çdo mosmarrëveshje, hidhërim apo fyerje mes njëri-tjetrit duhet të zgjidhet me bisedim, dialog dhe komunikim, nëpërmjet ligjeve dhe institucioneve tona.
A thua pak na kanë vrarë dhe shkatërruar të tjerët me shekuj, e tani edhe ne duam ta asgjësojmë vetveten?
Çdo rast i tillë është së pari vetëvrasje, pastaj vëllavrasje dhe së fundi vrasja e tjetrit, mëkat ky tejet i rëndë, krim i pafalshëm, që nuk duhet të përsëritet më kurrë pas Pajtimeve të Gjaqeve në Pranverën tonë të madhe të vitit 1990!
Ftojmë të gjithë besimtarët tanë nëpër famullitë e Kosovës dhe më gjerë, që vendosmërisht t’i kundërvihen kësaj dukurie shëmtuese duke mbrojtur, nderuar dhe kultivuar jetën njerëzore në çdo fazë, prej zanafillës e deri në kalimin në amshim, sepse jeta është pronë e Zotit dhe i takon vetëm atij.
Vetëm kështu do ta nderojmë Zotin, Krijuesin dhe Dhuruesin e jetës, dhe njëri-tjetrin në vëllazëri dhe dashuri, duke plotësuar kështu misionin tonë njerëzor, kombëtar dhe fetar.
Ndërsa i kujtojmë në uratë shpirtin e këtyre viktimave, familjet e tyre, në këtë kohë të shenjtë të Kreshmëve, të lutemi, të bëjmë pendesë dhe të jepemi pas bamirësisë, si përgatitje shpirtërore për festën e Pashkëve, Ngjalljen e Jezu Krishtit, burimit të Paqes, që të jetë ringjallja jonë.
Të punojmë të gjithë së bashku, që me ndihmën e Zotit dhe me pjesëmarrjen tonë të mbizotërojë sa më parë paqja dhe pajtimi, falja dhe dashuria, se vetëm kështu ne do të jemi bijtë dhe bijat e Zotit, drita dhe kripa e botës, dëshmitarët e jetës, të ngjalljes dhe fitores së Jezu Krishtit mbi të keqen, mëkatin dhe vdekjen!
 
Në Prizren, më 7 mars 2008.
+ Dodë Gjergji, ipeshkëv







All the contents on this site are copyrighted ©.