2008-03-11 18:56:17

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(11.03.2008 RV)11 mars: Teodora dhe lutja para ikonës së Zotit
Bizant, mars 843. Në sheshin kryesor, papritmas mbin një njeri, që u kumton kalimtarëve: “Miqtë e mi! Sot perandoresha Teodora i dha fund grindjes së ikonathyesve, që na përçante që prej njëqind vjetësh. Kisha jonë ka rënë në fashë!”.
Të gjithë njerëzit që e dëgjojnë, gëzohen. Vetëm një i huaj shikon përreth me pamjen e atij që nuk merr vesh fare ç’bëhet. Pastaj duket se vendos t’i kërkojë shpjegime tellallit për ‘lajmin e mirë’.
“Më fal në se nuk po marr vesh asgjë. Nuk jam vendas. Vij nga Franca, nga perëndimi i Evropës. A mund të më shpjegosh, pra, si është puna?”.
“Gjithçka filloi në vitin 730. Perandori i asaj kohe, Leoni III, nisi t’i shikonte me frikë ikonat me shembëllimin e Hyjit. I dukej se njerëzit u jepnin tepër rëndësi e i adhuronin, si të ishin vetë Zoti. Atëherë Leoni perandor dha urdhër t’i shkatërronin të gjitha ikonat e shenjta të perandorisë e edhe të gjithë mozaikët e kishave”.
“Masë tepër energjike…”.
“Pikërisht, prandaj populli e priti këtë masë me zemrim të madh. Më shumë nga të gjithë u shqetësuan të krishterët që nuk dinin shkrim e këndim e luteshin me devocion të madh para ikonave. Atëherë Bizanti u nda më dysh: nga njëra anë ishin ‘ikonathyesit’ e nga ana tjetër “ikonadashësit’ që i ruanin ikonat. Po Leoni e pasardhësit e tij s’hoqën dorë nga e tyrja. Rreth pesëdhjetë mijë murgjër ikonadashës, u detyruan të largohen prej Bizantit, për të shpëtuar nga persekutimi”.
“ E kjo histori paska zgjatur njëqind vjet!?”
“Me pak ndërprerje. Pati dy valë të tërbuara. Gjatë së parës, u shkatërrua një pjesë e mirë e ikonave. E dyta përfundoi me vdekjen e perandorit Teofil, një nga ikonathyesit më të rreptë”.
“Po kjo… Teodora, për të cilën folët pak më parë, kush është? Mos është e shoqja e Teofilit? Edhe kjo është ikonathyese?”.
“Jo, jo, nuk është. Së pari, duhet ta dish se Teodora mban qëndrim pajtues e dëshiron që në mbretërinë e saj të sundojë paqja. Pastaj e di se figurat nuk janë të dëmshme. Përkundrazi. Mjafton të mendosh se Jezusi, kur jetoi mbi tokë, ishte i dukshëm. Në se nuk do të kishte dëshiruar të dukej, nuk do të qe bërë njeri”.
“Ke plotësisht të drejtë. E pikërisht për këtë arsye, në Perëndim ikonat nuk kanë krijuar kurrfarë problemi. Ne mendojmë se ikonat nuk duhen adhuruar si të ishin hyjni, por besojmë edhe se i ndihmojnë shumë të krishterët për ta përfytyruar Zotin”.“Po, këtë thonë edhe ikonadashësit. E në këtë përfundim arriti edhe Teodora, me ndihmën e disa njerëzve shumë të ditur të Kishës. I dha fund grindjes e rivendosi qetësinë në Bizant. Hë atë Zoti ma bekoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.