Zgjedhje: në Spanjë fiton Zapatero, në Francë humbja e parë për Sarkozìnë
(10.03.2008 RV)Zgjedhjet në Spanjë
i fiton Zapatero. Kreu socialist spanjoll ka marrë shumicën e votave në parlament,
mëse 48%, përkundrejt gati 44% të Partisë Popullore. Duke pasur vetëm shumicën relative,
Partia Socialiste duhet të krijojë tani një aleancë qeveritare, por sot Zapatero deklaroi
se është akoma herët për një gjë të tillë. Spanjollët pra, të cilët morën pjesë në
votime në masën 63%, zgjodhën për herë të dytë 48-vjeçarin që i ka qeverisur për katër
vjet. Për të dytën herë rresht, ata votuan kundër terrorizmit. Në vitin 2004 ai ishte
i tipi kaedist, me masakrën e Atoçës në Madrid, ku u vranë 191 vetë e u plagosën mëse
2000 të tjerë. Dje, votuan kundër separatizmit bask të Etës, akti i fundit i së cilës
ka qenë vrasja e ish-funksionarit socialist Isaias Karrasko. Të dëgjojmë komentin
e gazetarit spanjoll Antonio Pelajo, korrespondent në Itali për Antena Tres: Është
një fitore e qartë, s’ka diskutim për këtë. Ka një diferencë të mjaftueshme për t’u
konsideruar fitimtar, por duhet thënë edhe se nuk ka arritur atë që donte, pra shumicën
absolute. Ajo që konfirmohet nga këto zgjedhje është një bipolarizim i madh, që i
korrispondon asaj që po ngjet në shoqërinë spanjolle. Janë dy blloqe që i shohin gjërat
dhe problemet në mënyra të ndryshme e janë gati të barasvlershëm, sepse Partia Popullore,
pavarësisht se humbi, është rritur shumë dhe ka arritur rezultatin më të mirë të viteve
të fundit.
Prirje e kundërt në Francë, ku po dje u zhvilluan zgjedhjet
administrative. Ishin të rëndësishme, sepse ishin votimet e para pas zgjedhjes së
presidentit Nikolas Sarkozì. E më të vërtetë, rezultatet e djeshme konfirmojnë rënien
e popullaritetit të liderit francez. Partia e tij e djathtë UMP ka humbur vota, duke
marrë vetëm 40%, megjithëse rezultati nuk është akoma zyrtar. Ndërsa socialistët e
listat e majta kanë fituar 47,5%. Fitore e qartë e socialistëve në Paris, ku Bertran
Delanò shihet si një politikan popullor e me perspektivë. UMP-ja po kërkon tani një
alenacë me qendrën e Bajrùsë, por rezultati i këtyre zgjedhjeve është tregues i qartë
se francezëve nuk u kanë pëlqyer politikat e fundit të presidentit Nikolas Sarkozì.