2008-03-10 17:43:32

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.Duoda dhe doracaku i saj kushtuar edukimit


(10.03.2008 RV)RealAudioMP3 10 mars: Duoda dhe doracaku i saj kushtuar edukimit
Gulielmi është mbyllur në një dhomë të shkretë, në skaj të kështjellës. Është 16 vjeç e nuk dëshiron që shokët, të edukuar si ai në oborrin e Karlit të Shogët, ta shohin të emocionuar.
I pëlqen më mirë të fshihet, në sa lexon ca faqe të shkruara me një shkrim shumë të imtë femëror …
Libri që ka në dorë, një doracak mbi edukimin, tregon si duhet të sillesh, që të jesh njeri sipas zemrës së Zotit, njeri që i bën krenarë e të lum prindërit. Gulielmi ka shfletuar disa doracakë të kësaj natyre, por ky i duket krejt i veçantë: e ka shkruar e ëma, Duoda. Gulielmi ka dy vjet që s’e ka parë, që në vitin 841, kur hyri në shërbim të Karlit të Shogët. Duoda e shfrytëzoi kohën e ndarjes, për të shkruar këto këshilla, të cilat të birit i duken tejet të çmuara.
Pjesa kryesore e librit e fton për t’i shërbyer, pa u lodhur kurrë, Zotit. Në atë kohë ky shërbim qe detyrë për të gjithë, sepse mbarë Evropa ishte tepër fetare. Për Gulielmin është fare normale që e ëma ta këshillojë kështu. Si mund të mos jetë shërbëtor besnik i Atij që është Zotëria i gjithë njerëzve? Kapitujt e tjerë flasin për babanë e Gulielmit dhe e ftojnë ta respektojë e të ecë në gjurmët e tij. Gulielmi krenohet me të jatin, Bernardin e Septimanisë, luftëtar guximtar, vazhdimisht në lëvizje: herë në luftë e herë në udhëtim. Natyrisht djali dëshiron me gjithë zemër t’i ngjasë të jatit.
Por Duoda e këshillon të birin që, pas Hyjit e të jatit, t’i shërbejë edhe një të treti: mbretit. I shpjegon se autoriteti i mbretit vjen nga Zoti, prandaj t’i bindesh atij, do të thotë t’i bindesh vetë Zotit. Gulielmi duhet t’i respektojë gjithnjë urdhrat e tij, si të ishin të shenjta.E biri bën çmos t’i ndjekë këshillat e s’ëmës, për t’u bërë princ model. Nuk e di se do të vdesë gjashtë vjet më pas, duke i shërbyer babait e mbretit. Do të vritet në vitin 849, ashtu si Bernardi: atë e bir zgjodhën një rrugë të vështirë: t’i shërbejnë të njëjtit mbret, që është mundur nga një tjetër. E nuk është aspak e lehtë të mbash krahun e të mundurit, kur shumica radhiten menjëherë përkrah fitimtarit! Po Gulielmi i qëndroi besnik deri në fund të fundit, duke ndjekur këshillat e nënës. E as nëpër mend nuk i shkoi se libri, i shkruar nga e ëma, do të bëhej tepër i famshëm. Sot konsiderohet doracaku më i plotë e më i përkryer mbi edukatën, ndërmjet veprave të kësaj natyre, që u shkruan në epokën kur Gulielmi, duke ndjekur këshillat e librit të vogël, jetoi e vdiq në shërbim të Hyjit, të prindërve e të mbretit. Po Duoda sigurisht nuk e shkroi për të hyrë në histori. Ajo kishte të njëjtin qëllim, që patën të gjithë autorët e doracakëve kushtuar edukimit: Duoda e shkroi për t’i mësuar të birit bukurinë e jetës së ndershme e të virtytshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.