2008-03-08 17:41:59

Atë Federiko Lombardi reflekton për "Paqen në Amerikën Latine".


(09.03.2008 RV)RealAudioMP3 I shqetësuar për krizën e rëndë në Amerikën Latine, Atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit dhe i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, reflekton për paqen në Amerikën Latine, duke cituar ftesën e vazhdueshme të papëve përballë situatave të konfliktit: “Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën”:

 
"Tensionet e mëdha të ditëve të fundit ndërmjet Kolumbisë, Ekuadorit dhe Venezuelës, tërhoqën menjëherë vëmendjen tonë mbi rreziqet për paqen në Kontinentin amerikan. Rreziqe serioze e konkrete, sepse kalohet nga fjalët tek faktet, me përdorim armësh e me lëvizje trupash. Për më tepër, kriza mund të shtrihet më tej e të bëhet rajonale, siç e dëshmon ndërprerja e lidhjeve diplomatike ndërmjet Nikaraguas e Kolumbisë.
“Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën” kanë përsëritur pa u lodhur kurrë papët, përballë situatave të konfliktit. Konfliktet ushqejnë urrejtjen e irracionalitetin e nacionalizmave, hapin hendeqe e krijojnë përçarje të thella, shkaktojnë vdekje e vuajtje të pakuptim për shumë njerëz të pafajshëm, turbullojnë edhe situatat e brendshme të popujve, në dëm të jetës së rregullt e të ushtrimit normal të të drejtave. Ndonëse jemi të vetëdijshëm për ndërlikimin e situatës e të interesave që lidhen me të, duhen kërkuar pa tjetër rrugët për bisedime e ndërmjetësim diplomatik, para se dëmet të bëhen tepër të rënda.
Me të drejtë episkopatet e vendeve në konflikt ngrenë zërin në favor të paqes, e edhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të zonës, bëjnë thirrje të njëzëshme për impenjimin e të gjithëve, duke filluar nga qeveritarët, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me rrugë të arsyeshme e paqësore. Duhet uruar që në një Kontinent, në të cilin tradita e krishterë është e lashtë dhe e thellë e në të cilin popujt e shikojnë, me të drejtë, njëri–tjerin si vëllezër, për shkak të lidhjeve të shumta, këto zëra të dëgjohen. Atyre natyrisht u shtohet solidariteti shpirtëror e lutja e mbarë Kishës, për të cilën paqja ndërmjet popujve është një nga aspiratat më të larta e më të ndjera".







All the contents on this site are copyrighted ©.