365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(08.03.2008 RV)8 mars: Gulielmi, heroi i trubadurëve Aroldi dëgjon pa humbur
asnjë tingull. Në sheshin e Kishës, një turmë e madhe është grumbulluar rreth menestrelit
e të gjithë e dëgjojnë të mahnitur. Po këndon një këngë kreshnikësh, që në Francë
quhet ‘chanson de gestes’, dmth poemë që këndon bëmat e një kreshniku. Këngët
franceze të kreshnikëve u krijuan ndërmjet shekujve XII - XIV. Më të lashtat janë
më të bukurat. U shkruan në epokën e Aroldit. Heroi për të cilin po flasim sot,
është një njeri me emrin Gulielm, kushëri i Karlit të Madh, që ka jetuar rreth katërqind
vjet më parë. Këngëtari këndon trimërinë e tij në betejë, besnikërinë ndaj mbretit,
dashurinë e për bukuroshen Gyiburk… Dalëngadalë kënga arrin kulmin, që e lë Aroldin
me gojë hapur. Ai e njeh mirë historinë e Gulielmit të Akuitanisë, sepse ungji i tij
është murg e jeton në abacinë Sent-Gyilem-le-Désert, manastir i themeluar nga Gulielmi
në jug të Francës, në vitet e fundit të jetës. Aroldi çuditet pa masë kur dëgjon sesi
këngëtari e shtrembëron fare figurën e Gulielmit. Vendos, prandaj, të shkojë te menestreli,
që është duke pirë një gotë verë, për të njomur grykën e tharë, pasi ka kënduar për
një kohë të gjatë. “Zotëri, ju falënderoj për këtë hsitori të bukur… Por xhaxhai
im, që është murg, ma ka treguar fare ndryshe historinë e Gulielmit. Ju po na këndoni
se edhe kur ishte tashmë i shtyrë në moshë, vijoi të luftonte kundër armiqve të Zotit.
Ndërsa në të vërtetë, rreth vitit 806, pasi i shërbeu për një kohë të gjatë Karlit
të Madh me trimëri e besnikëri, la shpatën e rroku kryqin, duke u bërë murg. Themeloi
abacinë që sot mban emrin e tij, Shën Gulielm, e që nga ky ças bëri çmos të harrohej
fare fama e tij prej luftëtari. Nuk e dinit këtë? “Në të vërtetë, jo…”. “Si
të gjithë murgjërit, merrte pjesë në Meshë, gatuante bukën për sivëllezërit që punonin
ndër ara, u çonte ujë për të pirë, bënte punë dore nga më të rëndomtat... Ja këtë
duhet të këndoni. Kjo është historia e vërtetë e Gulielmit!”.“Dëgjo, Arold, këngët
kreshnikëve nuk këndohen për të treguar të vërtetën, nuk janë histori. Ato këndohen
për t’i bërë njerëzit të ëndërrojnë” – përgjigjet duke qeshur menestreli. – “Në se
Gulielmi ka bërë çmos të harrohet fama e tij prej heroi, unë nuk e di si t’ia bëj.
Ose më mirë të them, e di. Do të vijoj të tregoj historinë e tij para se të hynte
në kuvend. Ti, po të duash, këndo një këngë tjetër, që tregon si u bë murg!”.