2008-03-07 17:21:06

Shoqëria që e zevendëson nevojën e studimit të së kaluarës me utopitë e pozitivizmit, është më e brishtë dhe më e kushtëzuar nga ideologjitë.


(07.03.2008 RV)“Të studiohet imtësisht historia, për të ndërtuar shoqëritë të cilat, të vetëdijshme për të kaluarën, të përcaktojnë kriteret për projektimin e bashkëjetesës paqësore për të sotmen e të ardhmen”. Duke pritur në audiencë Komitetin Papnor të Shkencave historike, Benedikti XVI foli për vlerën e historiografisë, që bëhet edhe më e rëndësishme në epokën tonë, të mbrujtur nga materializmi e nga pozitivizmi, e prej këndej, gjithnjë më pak të interesuar për ngjarjet që i paraprinë.
“Sot historiografia po kalon një krizë nga më seriozet, e detyruar siç është të luftojë për vetë ekzistencën e saj, në një shoqëri të mbrujtur nga pozitivizmi e nga materializmi . Të dyja këto ideologji ushqejnë një entuziazëm të shfrenuar për progresin që, i nxitur nga zbulimet spektakolare e sukseset e teknikës, pa marrë parasysh përvojën shkatrrimtare të shekullit të kaluar, përcakton konceptimin e jetës të sektorëve të gjërë të shoqërisë. E kaluara duket, kështu, vetëm si një sfond i errët, mbi të cilin e sotmja dhe e ardhmnja shkëlqejnë me premtime të mëdha. Me këtë lidhet utopia e ndërtimit të parajsës mbi tokë, pa marrë fare parasysh faktin se një utopi e tillë, tashmë ka treguar qartë se është e rreme”.
Mungesa e interesit për historinë e njerëzimit e të Kishës, çon në errësimin e epokave të tëra, aq sa arrihet të hartohen plane studimi, për të cilat historia nis nga ngjarjet e revolucionit francez. Por nuk duhet harruar se kjo harresë historike ka një haraç për të paguar:
“Produkt i pashmangshëm i një zhvillimi të tillë është një shoqëri që nuk e njeh të kaluarën e vet, pra një shoqëri pa kujtesë historike. S’ka njeri që të mos e shikojë sa të rënda janë pasojat: kur njeriu humbet kujtesën, humbet edhe identitetin; e njëjta gjë ka vlerë edhe për shoqërinë në tërësinë e saj”.
Prandaj Papa përfundoi duke pohuar interesimin për kulturën e vërtetë historike, që nuk i ka munguar kurrë Kishës, sepse i ka krijuar gjithnjë mundësitë ta sqarojë misionin e saj të ndërlikuar në rrjedhë shekujsh.







All the contents on this site are copyrighted ©.