2008-03-07 17:24:22

Imzot Ravazi njofton për organizimin e një takimi ndërkombëtar mbi teoritë e evolucionit, për të krijuar kushte takimi ndërmjet shkencës, teologjisë e filozofisë.


(07.03.2008 RV)RealAudioMP3 U hapën në Romë punimet e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor të Kulturës. Në qëndër të punimeve, “Sfidat e shekullarizimit për Kishën e në Kishë”.
Kryetari i dikasterit, kryeipeshkvi Gjanfranko Ravazi, kujtoi disa rrugë, në të cilat duhet ecur, për ta përballuar këtë sfidë: së pari foli për marrëdhëniet e fesë me shkencën e, lidhur me këtë, njoftoi se do të organizohet një kuvendim me temë: “Teoritë e evolucionit, për të takuar e për të bërë të takohen shkenca, teologjia e filozofia”. Por, ta dëgjojmë vetë imzot Ravazin në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Do të jetë një rrugë tepër e rëndësishme, sepse do të mbledhë këtu, në Romë, në Universitetin Gregorian e me ndihmën tonë, nga njëra anë figura tepër të njohura të shkencës, ndërmjet të cilave, edhe Çmime Nobel, e nga ana tjetër, teologë të mëdhenj e filozofë të mëdhenj. Kështu, më në fund, secili nga ne do të mund të shikojë përtej kufirit të vet: shkencëtari do të mund të dëgjojë teologun e filozofin, që dëgjojnë e shikojnë rrugët në të cilat ecën shkenca.

Pyetje: - Dikasteri do të hapë kështu, horizonte, që mund t’i quajmë kontinentale, apo jo?

Përgjigje: - Sigurisht, e kjo është një tjetër rrugë e rëndësishme. Ne vërejmë se nga njëra anë, globalizimi na bën ngapak të gjithëve njëlloj e dëshiron t’i shlyejë fizionomitë tona e fytyrat tona por, nga ana tjetër – kombësitë e ndryshme e kulturat e ndryshme vijojnë të çojnë krye, duke kërkuar të afirmojnë – e me të drejtë – edhe identitetin e tyre. Ne do të përpiqemi të kuptojmë cila është fytyra e vërtetë e popujve dhe e kulturave, duke nisur, për shembull, nga kulturat e mëdha aziatike, për të vijuar me kulturat afrikane e ato të Amerikës Latine.

Pyetje: - Shkelqësi, ju mendoni kryesisht për t’u thelluar në shkencat humane, duke mos harruar edhe ekonominë. Pse?

Përgjigje: - Ky është një kapitull fare i ri, që hapet në rrethet vatikanase, sepse zakonisht diskutimi është kufizuar tek shkencat e artet tradicionale: muzika, letërsia, piktura, që natyrisht janë të gjitha realitete të rëndësishme të kulturës. Por nuk duhet harruar se njeriu i sotëm ka edhe një mori lidhjesh të tjera, lidhje të quajtura antropologjike. Shkencat humane përfshijnë sidomos ekonominë, e ekonomia nuk ka të bëjë vetëm me çështje të tipit monetar ose të tipit financiar, por edhe me ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më homogjene. Ja pse ekonomia duhet të rikthehet në fushën e kulturës, që është analiza e njeriut.

Pyetje: - Po ju kujtoj edhe rrugën e gjuhës, parë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si epistemologji, që do të thotë filozofi e shkencës …

Përgjigje: - Gjuhën e konsiderojmë, mbi të gjitha, rrugë të komunikimit e të kuptimit ndërmjet nesh. Kjo ka shumë rëndësi, edhe sepse gjuha e Kishës shpesh herë duket si e mjegulluar, në krahasim me gjuhën bashkëkohore, e cila ka forma shprehëse më të drejtëpëdrejta e më të kuptueshme, që nuk hyjnë në shtigjet e ndërlikuara të mendimit. Por, nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se gjuha është mënyra për të hyrë në lidhje e se prandaj duhen njohur metodat e drejta, për të realizuar lidhje sa më të plota, më të thella e më të përkryera ndërmjet Kishës e njerëzimit.

Pyetje: - Edhe një rrugë tjetër, e pesta, por jo e fundit përsa i përket rëndësisë… humbja e besimit…

Përgjigje: Kemi para syve tanë shumë njerëz, për të cilët qiejtë janë të zbrazët, ose shumë-shumë, të populluar vetëm nga satelitët; satelitët e ushtrisë ose të meteorologjisë. E kjo na kujton se njeriu i sotëm duhet nxitur të kërkojë, t’i bëjë vetes pyetje, në kuptimin që të bëhet i aftë ta kapërcejë edhe vetveten.







All the contents on this site are copyrighted ©.