2008-03-07 18:15:01

Finlanda dhe Islanda njohin Kosovën


(07.03.2008 RV)Finlanda e Islanda njohën sot shtetin e ri të Kosovës. Islanda nuk bën pjesë në Bashkimin Evropian. Nga vendet skandinave, pa e njohur akoma pavarësinë e Prishtinës, ka mbetur vetëm Norvegjia. Njohja u bë pikërisht ditën kur ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt është nisur për mision në Kosovë, ku do të takohet me autoritetet e vendit. Është kreu i parë i një diplomacie evropiane, që viziton Kosovën.


E ndërsa Kosova njihet gjithnjë e më tepër botërisht, qeveria serbe kalon një krizë të rëndë. Fjalët janë të kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i cili shpjegoi se nuk ka më besim tek sinqeriteti i partisë së presidentit Tadiç dhe i partisë G17 Plus, me të cilat ka formuar koalicionin qeveritar. Koshtunica deklaroi nga Beogradi se nuk është i sigurtë se këto parti janë gati të luftojnë për të ruajtur sovranitetin serb mbi Kosovë. Kriza mund të zgjidhet me votime të reja ose me krijimin e një koalicioni tjetër qeveritar.







All the contents on this site are copyrighted ©.