2008-03-07 17:30:03

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(07.03.2008 RV)7 mars: Koncili i Frankfurtit dhe roli i Karlit të Madh, Kostandinit të Ri.
Porta hapet në dy kanatat para Karlit të Madh. Në sallonin vigan, të gjithë ngrihen në këmbë, duke mbajtur frymën. Jemi në vitin 794. Në atë sallon janë mbledhur ipeshkvijtë më të rëndësishëm të botës së krishterë. Të gjithë fisnikë, të gjithë të rëndësishëm. Megjithatë, u bën përshtypje të jashtëzakonshme arritja e Karlit. Ia ngulin sytë veshjeve të tij madhështore, i admirojnë kurorën, por ajo që u bën më shumë përshtypje, është autoriteti që shpreh fytyra e tij. Ai është kryetari i Koncilit. Ai i ka thirrur të gjithë ipeshkvijtë në Frankfurt, për të këmbyer mendime lidhur me një shtrembërim të fesë së krishterë, që ka nisur në Spanjë: për herezinë ‘adocioniste’.
Po Karli i Madh ka në mendje plane më ambicioze: dëshiron të përfitojë nga ky Koncil, për të ndryshuar edhe aspekte të tjera të Kishës, për ta përmirësuar më tej. E merr tepër seriozisht rolin e tij si mbret. Në atë kohë mbreti nuk mjaftohet të qeverisë vendin e vet, por beson se është i zgjedhur nga Zoti, e prej këndej, duhet t’i shërbejë duke ndërhyrë edhe në punët që kanë të bëjnë me Kishën.
Tani Karli ka në kokë shumë ide për t’i shërbyer sa më mirë Kishës, por ka nevojë për mbështetjen e ipeshkvijve e të papës. Prandaj është i kënaqur që, kur hyn në sallon, të gjithë përkulen para tij në shenjë nderimi. Ipeshkvijtë sigurisht do t’ia miratojnë planet e tij.
E vërtetë ashtu ndodh. Të gjitha idetë që propozon Karli i Madh, pasi ka marrë edhe mendimin e këshilltarit të tij, Alkuinit, pranohen njëzëri. Kisha riorganizohet, për të vënë në jetë reformën. Sipas saj, prijësit e bashkësive fetare duhet të jenë njerëz me vlerë, të denjë për të udhëhequr të krishterët. Koncili nënvizon edhe disa probleme të tjera të dorës së parë, që Kisha duhet t’i ketë në qendër të vëmendjes: për shembull, kujdesin për të varfërit, për të sëmurët, për shtegtarët. Në Meshë hyn në përdorim një gjest i ri, simbol shprese për një shoqëri më të mirë. Është gjesti që e bëjmë edhe sot e kësaj dite: shtrëngimi i duarve në shenjë paqeje. Në përfundim të Koncilit të Frankfurtit, Karli është tejet i kënaqur. Ëndërronte të ishte mbret i madh, prijës i denjë për të krishterët: reformat e miratuara i japin rolin e mbrojtësit të Kishës. Disa vjet më pas, në vitin 800, Papa Leoni III do ta falënderonte në mënyrë të posaçme për këtë rol që luajti në botën e krishterë, duke e kurorëzuar Perandor të Perëndimit, një titull që nuk e kishte merituar askush, pas Kostandinit të madh. Ishte një mënyrë për ta vënë edhe më shumë Kishën nën mbrojtjen e Karlit të Madh, Kostandinit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.