2008-03-06 19:25:32

Vijon në Azerbajxhan, pas Armenisë, udhëtimi i kardinalit Bertone në dy Republikat e Kaukazit.


(06.03.2008 RV)Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, vijon udhëtimin në Republikat kaukazike të Armenisë e të Azerbajxhanit, zonë e tronditur nga konflikte e tensione të rënda shoqërore.
Sot paradite Hirësia e Tij arriti në Baku, kryeqytet i Azerbajxhanit, pasi kaloi tri ditë në trojet armene, ku u takua me autoritetet më të larta fetare e civile. Në Komunikatën e përbashkët të kardinalit Bertone dhe patrikut Karekinin II, theksohet posaçërisht urimi për paqe.
Një program i pasur me takime e pret kardinalin Bertone në Azerbajxhan, pas largimit nga Erevani, kryeqytet i Armenisë, ku sot u takua me presidentin aktual Robert Kosharian, në sa në vend vijon kriza politike.Para se të largohej nga Armenia, sekretari i Shtetit të Vatikanit pati dy takime prekëse: u takua me fëmjët për të cilët kujdesen Motrat e Nënë Terezës dhe vizitoi Monumentin përkujtimor kushtuar viktimave armene. Gjatë gjithë veprimtarive në Armeni, kardinali Bertone kujtoi disa herë vuajtjet e këtij populli, posaçërisht të besimtarëve të krishterë, nën regjimin komunist, por edhe konfliktet aktuale të brendshme e të jashtme, që trazojnë njerëzit dhe kërcënojnë jetën demokratike të Armenisë, duke i përcjellë disa herë këtij populli, urimet për paqë e zhvillim të gjithanshëm të Papës Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.