2008-03-05 16:10:56

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(05.03.2008 RV)RealAudioMP3 5 mars: Karolina e vogël 1: një stil i ri shkrimi për të përhapur fenë:
Më në fund arritën! Në horizont duket bregdeti i Britanisë, Anglisë së sotme. Dy murgjërit saksonë, Gjoni e Grimbò, gëzohen pa masë kur shohin tokë. Kalimi i ngushticës së La Manshit ishte tepër i vështirë e dy të rinjtë janë qullur deri në palcë. Po ky është vetëm fillimi i aventurës së dy murgjërve. Abati i Korbjesë, eprori i Gjonit, i nisi në Angli për t’i dhënë mësim klerit të ishullit, që është tepër injorant. E të mendosh se nuk kanë kaluar as dy shekuj, që kur bretonët përshkonin Evropën, për të përhapur mësimet e tyre tejendanë e Kontinentit. Po kohët vërtetë kanë ndryshuar, e kanë ndryshuar për keq! Meshtarët e murgjërit e ishullit janë dërrmuar nga luftërat për fron e nga plaçkitjet e barbarëve dhe i kanë lënë fare mënjanë studimin e bibliotekat. Detyra e dy murgjërve është e vështirë, por Gjoni e Grimo kanë shumë guxim, madje edhe tepër. I mjafton për vete e për të tjerët. Kanë, pastaj, edhe entuziazmin e rinisë, fenë e patundur e… edhe karolinën e vogël. Gjoni është i bindur se pikërisht kjo e fshehtë, do t’u sigurojë suksesin e misionit. Mjaft më me tekste të shkruara me gërma të stërholluara e të pakuptueshme! Karolina e vogël, shkrimi i ri, i shpikur nga murgjërit e Korbjesë, do ta revolucionarizojë botën, duke u krijuar të gjithëve, të shuguruarve e laikëve, mundësinë për t’i lexuar Shkrimet Shenjte. Gjoni e admiron thellësisht punën që kanë bërë murgjërit e urtë të Korbjesë, në veri të trojeve të frankëve. Me duresë të pashoqe, ia dolën mbanesh të krijojnë një shkrim të qartë, të lehtë për t’u lexuar e edhe më të lehtë për t’u shkruar, për të shpëtuar, kështu, nga harresa, shkrimet fetare e shkencore. Ndërsa shkrimi i mëparshëm përbëhej nga vija katërkëndëshe, të vështira për t’u lexuar, pa hapësirë ndërmjet fjalëve. Karolina e vogël është e rrumbullt dhe e lehtë për t’u lexuar. Ç’ gëzim për sytë! Ç’ kënaqësi për manuensët, murgjërit që e kalojnë gjithë jetën duke kopjuar libra, për t’ua lënë trashëgim breznive! Ç’ lehtësi për leximin! Tani të gjithë mund ta studiojnë pa vështirësi gramatikën, të lexojnë poezinë, të mësojnë historinë, të përvetësojnë gjithë trashëgiminë kulturore të të krishterëve të parë….. Gjithë kjo pasuri shpëtoi nga ky stil kaq i thjeshtë shkrimi, që do ta thjeshtëzonte ndjeshëm komunikimin ndërkombëtar e do t’i jepte një shtytje të re rilindjes e përhapjes së kulturës në shekujt e Mesjetës së vonë.
Më në fund Gjoni e Grimbo zbarkojnë në brigjet bretone. Në trastat e tyre të udhëtimit kanë edhe disa pergamena, të shkruara me karolinën e vogël, që do të ndikojë fuqimisht mbi klerin e Britanisë e do ta bëjë të rizbulojë bukurinë e studimit e të mësimit. Përmes dy murgjërve shtegtarë, shkrimi i ri do të bënte mrekulli në Angli, e jo vetëm. Do të bënte mrekulli edhe për ne, sepse shkrimi që përdorim sot, s’është tjetër, veçse pasardhës i karolinës së vogël!
______
1 Karolina e vogël u quajt stili i ri i shkrimit që u krijua gjatë rilindjes karolinge, nën mbretërinë e Karlit të Madh, në shekujt VIII e IX. Shkrimi i ri, i shpikur nga murgjërit e Korbjesë rreth vitit 780, zevendësoi atë të shekujve VII e VIII, që ishte tepër i vështirë si për t’u shkruar, ashtu edhe për t’u lexuar e që prandaj, e kufizonte tepër përhapjen e kulturës e me të, edhe të fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.