2008-03-03 19:17:03

Zemra e Benediktit XVI është pranë atyre që vuajnë: në Engjëllin e Tënzot Papa bëri thirrje kundër të gjitha shfaqjeve të dhunës.


(03.03.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në të dielën e katërt të Krezhmëve, Benedikti XVI bëri tri thirrje prekëse: për lirimin e kryeipeshkvit irakian të Mosulit; për fundin e dhunës në Tokën Shenjte e, duke kujtuar ngjarjen dramatike të vdekjes së dy fëmijëve italianë, për mbrojtjen e fëmijëve. Duke komentuar Ungjillin e së dielës, që fliste për të verbërin, të cilin Jezusi e shëroi, Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos e lejojnë veten të verbohen nga egoizmi.
Ishte, pra, një lutje mariane, e cila u përshkua nga dhembja për njerëzit që vuajnë, që qajnë për humbjen e të dashurve e për ata që jetojnë në kushte tepër të vështira për shkak të luftërave. Së pari, Papa bashkoi zërin me atë të kardinalit Emanueli III Deli, për lirimin sa më të shpejtë të imzot Rahos, kryeipeshkvit të Mosulit të kaldejve. Por Ati i Shenjtë kujtoi edhe tre të rinjtë, që u vranë gjatë rrëmbimit të prelatit:
“Lartoj, njëkohësisht, lutjen time për shpirtin e tre të rinjve të vrarë, që ishin me të në çastin e rrëmbimit. I shpreh afërsinë time mbarë Kishës në Irak e posaçërisht, Kishës kaldeje, që u trondit përsëri kaq rëndë. Ndërsa uroj që Zoti t’u japë forcë e shpresë Barinjve e besimtarëve. Uroj edhe të shumfishohen përpjekjet e atyre që kanë në dorë fatet e popullit të dashur irakian, në mënyrë që, falë impenjimit e urtisë të të gjithëve, të rigjejë paqen e sigurinë e të mos i mohohet ardhmëria, për të cilën ka plotësisht të drejtë”.
Për fat të keq - tha në vijim Papa - këto ditët e fundit tensioni ndërmjet Izraelit e Rripit të Gazës është thelluar shumë. Prandaj përsëriti ftesën drejtuar autoriteteve, si atyre izraelite, ashtu edhe atyre palestineze, të përpiqen për t’i dhënë fund spirales së dhunës, në mënyrë të njëanshme, pa asnjë kusht”.
“Vetëm duke treguar respekt absolut për jetën njerëzore, ndoshta edhe atë të armikut, mund të shpresohet se breznitë e reja të këtyre popujve, që të dy me rrënjë në Tokën Shenjte, do të mund të bashkëjetojnë në paqe. E ftoj mbarë Kishën t’i lartojë lutje të Gjithëpushtetshimit për paqen në Tokën e Jezusit e të tregohet solidare me të dyja popullsitë: izraelite e palestineze”.
Më pas Papa foli edhe për mbrojtjen e fëmijëve, duke kujtuar vdekjen e dy fëmijëve italianë – një fund – tha Ati i Shenjtë, që më preku thellë, ashtu si preku edhe shumë familje. Fjalë këto, që u pasuan nga thirrja:
“Shfrytëzoj rastin për të lartuar një britmë në favor të fëmijëve: të kujdesemi për të vegjëlit! T’i duam e t’i ndihmojmë të rriten. Ua them këtë prindërve, por edhe institucioneve. Duke bërë këtë thirrje, mendoj për të gjithë fëmijët e botës, posaçërisht për ata që janë të pambrojtur e të keqpërdorur. Ia besoj çdo fëmijë Zemrës së Krishtit, që ka thënë: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë!”.
Para se të bënte thirrjet, Benedikti XVI u ndalua tek Ungjilli i së dielës, që fliste për shërimin e njeriut, i cili kishte lindur i verbër, por që Krishti e shëron e i tregon se ka ardhur në botë për t’i veçuar të verbërit e shërueshëm, nga ata që nuk duan të shërohen, duke kujtuar se janë shëndosh. E këtu Papa i nxiti të gjithë besimtarët t’i njohin verbëritë e dritshkurtësitë e tyre e, posaçërisht, mëkatin e madh të mendjemadhësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.