2008-03-03 19:40:25

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(03.03.2008 RV) RealAudioMP3 3 mars: Një shtet për papën e një kurorë për Pipinon e Shkurtër.
Mbreti i frankëve, Pipinua i Shkurtër, darkon në shoqëri me Papën Shtjefni II.
“Sa gëzohem që u shëruat- i thotë Pipinua Papës. U shqetësuam shumë kur u sëmurët, në sa po arrinit këtu nga Roma. Keni qenë në rrezik vdekjeje gjatë gjithë dimrit. Jam shumë i kënaqur që sonte po hani me kaq oreks. S’ju kam parë që kur kështu”.
“Ju falënderoj që u kujdesët kaq shumë për mua, Zotëri. Por sa për oreksin ja… erdha në Francë t’ju flas për një njeri që ka oreks katallani. E nuk i intereson një copë mish i pjekur, si ky që po ha unë, por të gjitha pronat e Kishës, të gjitha tokat që ka papa në Itali”
“E keni fjalën për Astolfin, mbretin e Longobardëve - apo jo!”.
“Pikërisht – përgjigjet Papa - na ka ngrënë deri tani shumë toka, por ç’e do, s’është ngopur akoma. S’ka gjë që ia shuan urinë! Por ne nuk kemi mjete për t’u mbrojtur. Prandaj erdha të kërkoj ndihmën tuaj! Ushtria e frankëve është shumë e fuqishme; vetëm ju mund t’i shpartalloni longobardët!”.
“Nuk ka asnjë dyshim! – pohon Pipinua duke vrenjtur vetullat. Ushtria ime do t’i hajë gjallë”.
“Zotëri, na ndihmoni. Kisha ka nevojë për toka. Ne shpresojmë se do të vijë dita, kur Papa do të ketë autoritet, pa pasur nevojë të qeverisë një shtet, ashtu si bëjnë mbretërit e tjerë. Por kjo ditë nuk ka ardhur akoma. …. Mbretërit e Evropës e quajnë veten të krishterë, ndonëse nuk rrijnë as një minut të qetë. Nuk pushojnë së shkaktuari turbullira: i vetmi mjet që ka Kisha për t’u imponuar autoritetin e saj, është të jetë po aq e fortë, sa mbretëritë më të fuqishme”.
“Sigurisht, Atë i Shenjtë, por….”.
“Por, çfarë?”.
Pipinua është gati ta ndihmojë Shtjefnin II, sepse e do Kishën. Por, në se mund të fitojë diçka, si shkëmbim për ndihmën, edhe më mirë! Prijësi dinak i frankëve ka një ide. Që kur u kurorëzua mbret në vitin 751, shumëkush i është kundërvënë autoritetit të tij. Pëshpëritet se ipeshkvijtë, që e kurorëzuan, nuk ishin prelatë të vërtetë. Në se Papa me dorën e vet e kurorëzon përsëri, rebelëve do t’u mbyllet goja një herë e përgjithmonë.
Pipinua ia kërkon këtë Papës, e shton: “Kjo do të më japë më shumë autoritet mbi ushtrinë time, për ta mundur Astolfin”.Kështu Pipinua i Shkurtër, babai i Karlit të Madh, në vitin 754 kurorëzohet nga vetë Papa. Pastaj, për të mbajtur premtimin, sulet kundër longobardëve dhe e liron Kishën nga kërcënimi i tyre. Madje pushton edhe toka të reja , që i shtohen trojeve të vjetra të Kishës. Deri në fund të shekullit XIX Papa ishte sundimtari i një pjese të madhe të Italisë, që njihej me emrin Shteti papnor. Falë Pipinos, Kisha u mbrojt nga oreksi prej katallani i mbretërve si Astolfi.







All the contents on this site are copyrighted ©.