2008-03-01 20:42:19

Benedikti XVI të rinjve universitarë: “Hyji ju thërret të bashkëpunoni, që limfa e Ungjillit ta rinojë qytetërimin e mbarë botës”.


(02.03.2008 RV)RealAudioMP3 Dje pasdite rreth 10 mijë studentë universitarë u mblodhën në Sallën e Palit VI në Vatikan ku, duke nisur nga ora 17. 00, Benedikti XVI kryesoi lutjet mbrëmësore mariane me të rinjtë universitarë të Romës, në lidhje radiotelevizive me studentët e disa vendeve të Evropës e të Amerikës: me Aparisidën në Brazil, Avinjonin në Francë; Bukureshtin në Rumani; Qytetin e Meksikos në Meksikë; Havanën në Kubë; Loien në Ekuador; Minskun në Bjellorusi; Napolin në Itali; Toledon në Spanjë e Uashingtonin në SHBA. Pesë seli në Evropë e pesë në Amerikë. Simbol shprehës i vetë temës së kremtimit marian: “Evropa dhe Amerikat së bashku, për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë”. Kremtimi, i promovuar nga Këshilli i konferencave episcopale evropiane dhe i dy Amerikave, u organizua nga Vikariati i Romës.
Në përfundim të mbrëmjes së lutjes mariane, Papa i përshëndeti gjithë të rinjtë, të pranishëm në sallë e në lidhje satelitare, duke theksuar lidhjen që u krijua ndërmjet Evropës e Amerikës, gjë që ngjall shpresa të reja. Dy vjet më parë – kujtoi Ati i Shenjtë, u lidhën Evropa e Afrika; vjet, Evropa e Azia; sivjet Evropa e Amerika:
“Krishterimi krijon një lidhje të fortë e të thellë ndërmjet të ashtuquajturit Kontinenti i Vjetër e atij që u quajt ‘Bota e re’. Mafton të mendosh se Shkrimi Shenjt dhe Liturgjia e krishterë zënë kryet e vendit në kulturën dhe në artin e popujve evropianë e të atyre amerikanë” – tha Papa - por në vijim, me keqardhje vërejti:
Për fat të keq, i ashtuquajturi ‘qytetërim perëndimor’, e ka tradhtuar pjesërisht frymëzimin e vet ungjillor. Duhet të bëjmë një reflektim të ndershëm e të sinqertë, një shqyrtim të ndërgjegjes. Duhet ta dallojmë ‘qytetërimin e dashurisë’ sipas planit të Hyjit, i cili na u dëftua në Jezu Krishtin, nga gjithçka që i kundërvihet” .
Ati i Shenjtë theksoi se në historinë e Evropës e të Amerikës, të rinjtë i kanë dhënë gjithnjë shtytje të fuqishme veprimtarisë ungjillëzuese. Kujtoi, më pas, të rinj si Shën Benedikti i Norçies, si Shën Françesku i Asizit e si i Lumi Karl Laisner në Evropë; e si Shën Martini de Porres, Shën Roza e Limës dhe e lumja Kateri Tekakvita në Amerikë. Të rinj që ndërtuan qytetërimin e dashurisë - theksoi Papa - e në vijim u bëri thirrje të rinjve universitarë:
“Sot, ju, të rinj evropianë e amerikanë, Hyji ju thërret të bashkëpunoni me të rinjtë e mbarë botës, që limfa e Ungjillit ta përtërijë qytetërimin e këtyre dy kontinenteve dhe mbarë njerëzimin”.
Është pikërisht kjo limfë që i sheshon ndryshimet, nga të cilat burojnë konfliktet dhe krijon kushtet për mirëkuptim reciprok, me bindjen se qytetërimi i i dashurisë është bashkëjetesë paqësore e gazmore, në emër të një plani të përbashkët, të cilin i Lumi Gjoni XXIII e ngrinte mbi katër shtylla: mbi dashurinë, vërtetësinë, lirinë e drejtësinë”. Kështu u shpreh Papa dhe u besoi të rinjve detyrën të jenë dishepuj e dëshmitarë të Ungjillit, sepse Ungjilli është fara e mirë e Mbretërisë së Hyjit, dmth e qytetërimit të dashurisë! I ftoi të jenë edhe ndërtimtarë të paqes e të bashkimit, simbol i unitetit dhe i universalitetit të fesë së krishterë.
Në përfundim të takimit, të rinjve iu dorëzua një CD me enciklikën ‘Spe salvi”, në pesë gjuhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.