2008-02-29 18:14:15

Papa në takimin me Cor Unum:“Ndima të mos jetë filantropi por dashuri ungjillore”


(29.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Veprimtaria bamirëse zë një vend qëndror në misionin e Kishës, por nuk duhet ngatërruar kurrë me filantropinë”: këtë theksoi sot Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor Cor Unum. Mbledhja, me temë “Cilësitë njerëzore dhe shpirtërore të veprimtarit bamirës”, vijon punimet në Romë.
Gjatë takimit, Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen e tij e të Kishës, të gjithë atyre që, në mënyra të ndryshme, punojnë në sektorin e bamirësisë, duke treguar, me veprimtarinë e tyre konkrete, se Kisha është gjithnjë pranë njerëzve që vuajnë:
“Falënderojmë Hyjin që shumë të krishterë shkrijnë kohë e energji, që t’i çojnë jo vetëm ndihma materiale, por edhe ngushëllim e shpresë, njeriut që jeton në kushte të vështira. Nuk duhet harruar se veprat bamirëse krijojnë mundësitë për t’u takuar edhe me njerëz, që nuk e njohin akoma Krishtin, ose që e njohin vetëm pjesërisht”.
Këtë theksoi Papa e, në vijim, i ftoi të gjithë njerëzit që punojnë në emër të Kishës, të jenë dëshmitarë të dashurisë së Hyjit ndërmjet njerëzve, duke mos harruar kurrë se:
“Burimi i çdo ndihme të veprimtarit kishtar është në Hyjin, dashuri krijuese e shëlbuese. Siç kam shkruar në ‘Deus Caritas est’ - shpjegoi Benedikti XVI - ne mund ta praktikojmë dashurinë, sepse jemi të krijuar sipas shembëlltyrës hyjnore për ta jetuar dashurinë e, në këtë mënyrë, për ta bërë dritën e Hyjit të hyjë në këtë botë”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.