2008-02-29 18:14:33

Papa - ambasadores së re të SHBA:dialogu mes feve e kulturave forcë efikase e paqes


(29.02.2008 RV)“Një vend që nuk i ka fshehur kurrë vlerat fetare, të cilat janë në bazë të bindjeve të tij demokratike. Vend që sot, më shumë se kurrë, është i thirrur të luajë rol udhëheqës ndërkombëtar në kuptimin e solidaritetit, që duhet realizuar përmes kufizimit të shpenzimeve ushtarake, në favor të ndihmës ndaj vendeve më të varfëra”. Ky është opinioni që shprehu Benedikti XVI mbi rolin e SHBA, duke pritur ambasadoren e re amerikane pranë Selisë Apostolike, Meri En Glendon, që paraqiti sot në Vatikan letrat kredenciale.
Benedikti XVI foli edhe për luftën kundër terrorizmit e për krizën në Lindjen e Mesme dhe uroi që bisedimet për paqe të sigurojnë kthesën përfundimtare në zonë, bazuar mbi ndërmjetësimin e organizmave ndërkombëtare, e jo mbi garën e armatimeve bërthamore. Duke pasur parasysh rolin botëror të SHBA – Papa preku shumë nga problemet e mprehta që trondisin sot vise të ndryshme të Planetit, nga mbrojtja e jetës, tek dialogu ndërfetar e tek temat më të mprehta etike. Ambasadorja amerikane Glendon, 70 vjeçe, e martuar e nënë e tre fëmijëve, është shumë e njohur në mjediset vatikanase, mbasi që më 2004 e deri pak kohë më parë, ishte kryetare e Akademisë Papnore të shkencave shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.