2008-02-28 18:16:32

Presidenti Bush i kërkoi Turqisë të tërhiqet shpejt nga Kurdistani irakian


(28.02.2008 RV)Vazhdon ofensiva turke në veri të Irakut, por lajmet e fundit tregojnë për humbje nga ana e Ankarasë. Militantët e Partisë kurde të Punës kanë vrarë 18 ushtarë turq dhe kanë plagosur dy të tjerë në ndeshjet e fundit. Ndërkaq, sipas Ankarasë, në ofensivë kanë gjetur vdekjen deri tani, 230 militantë kurdë dhe 24 ushtarë turq. Sot, presidenti amerikan Bush i kërkoi Turqisë që t’u japë fund operacioneve ushtarake sa më shpejt që të jetë e mundur.

U arrit më në fund një marrëveshje ndërmjet palëve kundërshtare në Kenia. Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, i cili është edhe ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për vendin, deklaroi pas bisedimeve me presidentin Kibaki, me liderin e opozitës, Odinga dhe me kreun e Bashkimit Afrikan, Kikvete se është arritur një marrëveshje koalicioni.

Bilanc i rëndë për ofensivën e fundit të izraelitëve në Gazë dhe në Çisjordani. Mbetën të vrarë 17 palestinezë, ndër të cilët katër fëmijë – njëri i sapolindur. Operacioni i Tel Avivit ka për qëllim bllokimin e hedhjes së raketave Kasam në territorin izraelit. Një zëdhënës ushtarak deklaroi se janë qëlluar shumë objektiva të Hamasit, por mohoi ekzistencën e viktimave.
Ndërkaq, presidenti palestinez Abu Mazen, në një intervistë për një gazetë jordaneze, thekson se për momentin nuk e mbështet kthimin e mundshëm në luftën e armatosur, “por në të ardhmen, ky mund të jetë një opcion për popullin palestinez”.

Sot ndodhej në Itali sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa, i cili në një prononcim për procesin e paqes izraelito-palestineze, të filluar me Konferencën e Anapolisit, nënvizoi se ai nuk po shkon ashtu siç duhet. “Nuk shohim asnjë përparim në dialogun ndërmjet palëve” – tha Musa. Nuk mund të gënjejmë veten dhe opinion publik. Nuk mund t’i konsiderojmë progres vizitat, përshëndetjet e buzëqeshjet”. Ai u bëri thirrje vendeve arabe të marrin pjesë në mbledhjen e krerëve të 22 shteteve e qeverive të Lidhjes, që do të mbahet në Damask më 29 mars. Vendet e Gjirit Persik dhe Egjipti mund të mos marrin pjesë për shkak se mbledhja bëhet në Siri, vend që konsiderohet përgjegjës për krizën e Libanit, pa president që nga 24 nëntori i kaluar.

Të reja për fatin e Ingrid Betankur, ish-kandidates për president në Kolumbi, që prej gjashtë vjetësh në duart e Forcave të Armatosura Revolucionare, FARC. Pas ndërhyrjes së presidentit të Venezuelës, Hugo Çavez u liruan dje katër deputetë kolumbianë, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për shëndetin e Ingrid Betankur. Një infarkt, dy koma nga diabeti e të gjitha sëmundjet e mundshme: kështu e përshkruan gjendjen e saj njëri nga pengjet e liruara.








All the contents on this site are copyrighted ©.