2008-02-28 18:37:29

Më 4 e 5 mars - takime dypalëshe me përfaqësues të Islamit, për të përgatitur vizitën tek Papa.


(28.02.2008 RV)RealAudioMP3 Më 4 e më 5 mars do të organizohen në Romë takime paraprake dypalëshe, për të përcaktuar vizitën e një delegacioni islamik tek Papa, ndoshta këtë pranverë. Takimet do të mbahen në selinë e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
Me që është takimi i parë i kësaj natyre, nuk duhen pritur shumë të reja prej tij, mbasi bëhet fjalë kryesisht për të përcaktuar ecurinë e mëtejshme të dialogut dhe qëndrimet e ndryshme, rreth të cilave do të zhvillohet ballafaqimi i ardhshëm.
Delegacioni islamik përbëhet nga Abdel Hakim Murad Vinter, i Trustit Akademik Universitar Mysliman të Anglisë; Aref Ali Naied, ish-profesor i Institutit Papnor të studimeve arabe dhe islamistikës; Serxho Jahja Palaviçini, i Bashkësisë Islamike italiane (Coreis); Ibrahim Kalin, i Seta Foundejshën të Ankarasë dhe jordanezi Sohail Nakhuda, drejtor i Revistës Islamike.
Delegacioni vatikanas do të kryesohet nga kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Do të marrin pjesë në bisedime edhe sekretari i dikasterit vatikanas, imzot Pierluigi Çelata si dhe drejtori i Institutit Papnor të studimeve arabe dhe islamistikës, (PISAI), Miguel Aiuzo.
Mundësitë për realizimin e kësaj ngjarjeje të madhe, që kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar e quan historike, i krijoi shkëmbimi i Letrave, në nëntorin e dhjetorin e kaluar, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe princit të Jordanisë, Ghazi bin Muhammad bin Talal, në krye të grupit të 138 dijetarëve myslimanë nga 43 kombe të ndryshme.
Më 13 tetor 2007, me rastin e përfundimit të Ramazanit, një grup i përbërë prej 138 personalitetesh të shquara myslimane i shkroi Atit të Shenjtë dhe prijësve të Kishave e konfesioneve të tjera të krishtera Letrën e hapur, që titullohej “Një fjalë e përbashkët ndërmjet Nesh e Jush” dhe kërkuan të fillojnë ballafaqimin. Pikat e zgjedhura si bazë për dialogun ndërfetar ishin besimi në një Zot të vetëm dhe urdhërimi i dyfishtë për të dashur Hyjin e të afërmin.
Më 19 nëntor - përgjigja e Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Tarçizio Bertone. I drejtohej Princit Ghazi , anëtar i familjes mbretërore të Jordanisë dhe kryetar i Institutit të Mendimit Islamik ‘Aal al- Bejt”, një nga organizatorët e nismës, i cili u kujdes personalisht për dërgimin e Letrës.
Duke falënderuar e duke i shprehur vlerësimin e tij për nismën domethënëse grupit të shquar të personaliteteve myslimane Papa, pa i injoruar ndryshimet ndërmjet dy feve, ripohon rëndësinë e dialogut të bazuar mbi respektin e njëmendtë të dinjitetit të njeriut, mbi njohjen objektive të fesë së tjetrit, mbi shkëmbimin e përvojës fetare dhe mbi impenjimin e përbashkët për të promovuar respektin dhe pranimin e anasjelltë. Së fundi, ftesa për një takim në Vatikan, përmes një delegacioni të 138 dijetarëve.
Duke marrë zemër nga vizita e kohëve të fundit që bëri në Vatikan mbreti saudit Abd Allah bin Abd Al-Aziz, jemi të gatshëm të takohemi me Benediktin XVI në Romë – iu përgjigj princi jordanez, kardinalit Bertone, pas këshillimit me nënshkruesit kryesorë të Letrës së 138 dijetarëve myslimanë, drejtuar Papës dhe liderëve të tjerë të krishterë. Dialog - pohohet në Letër - do të thotë shkëmbim mendimesh ndërmjet personave me këndvështrime të ndryshme. Arsyeja që na shtyn të dialogojmë – vijon Letra - është dëshira për të praktikuar atë që ne, myslimanët, e quajmë ‘rahmah’ e ju keni kënaqësinë ta quani ‘caritas’. Princi jordanez pohon se nuk mund të ketë marrëveshje teologjike të plotë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Megjithatë shpreh vullnetin e mirë për bashkëpunim të bazuar mbi gjithçka që përkon ndërmjet dy palëve, për interes të së mirës së përbashkët e për dobinë e mbarë botës dhe paralajmëron se është gati të dërgojë tre përfaqësues për të biseduar lidhur me hollësirat e takimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.