Kardinali Bertone kthehet në Itali pas vizitës në Kubë. Dje, takimi me presidentin
e ri, Raul Kastro.
(27.02.2008 RV)Dje, para kthimit të tij në Romë, sekretari i Shtetit të Vatikanit,
kardinali Tarçizio Bertone, u prit nga presidenti i ri kuban, Raul Kastro, në përfundim
të shtegtimit të tij të gjashtë ndërkombëtar në detyrën e re, të ngarkuar nga Benedikti
XVI në shtator 2006. Në takim morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të Kishës e të
Shtetit. Pak para se të hipte në avion, kardinali Bertone deklaroi se i bëri presidentit
Kastro urimin për suksese në misionin e tij në shërbim të vendit. Njëkohësisht shtoi
se ripohoi edhe dëshirën e veçantë të Selisë së Shenjtë për të promovuar gjithnjë
më shumë afrimin e botës me Kubën si dhe mirëkuptimin për çështje të rëndësishme ndërkombëtare.
Duke theksuar respektin për sovranitetin e vendit e të nënshtetasve të tij, Kardinali
Bertone i shprehu presidentit Kastro edhe shqetësimin e Kishës për të burgosurit
politikë dhe familjet e tyre. Ministri i Punëve të Jashtme, Felipe Pérez Rok e
quajti takimin “të përzemërt, respektues e të sinqertë”.Përfundoi kështu vizita e
kardinalit Bertone në Kubë, ku për gjashtë ditë me radhë kremtoi çaste të ndryshme
kishtare e publike, duke theksuar në mënyrë të posaçme se “liria fetare nuk do të
ishte e plotë dhe e vërtetë, në se nuk do t’i njihej edhe përmasa publike. Një shtet
që dëshiron ta respektojë këtë liri – shtoi - nuk mund të mos krijojë kushtet e përshtatshme
për jetën fetare, në mënyrë që nënshtetasit të ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre
e të kryejnë detyrat e tyre shpirtërore”.