2008-02-27 17:36:27

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(27.02.2008 RV)RealAudioMP3 27 shkurt: Vilibrordi që fitoi shumë shpirtëra për Hyjin duke bërë tre hapa para e dy mbrapa:
Jemi në qytetin Ehternah, në Luksemburg, një ditë pas Rrëshajëve. Turma, që ka mbushur përplot rrugët, drejtohet nga katedralja me një procesion të gjatë, tepër të ngadaltë, që s’i duket fundi. Sot kremtohet Vilibrordi, Shenjti pajtor i këtyre trojeve. Miku luksemburgas, që na shoqëroi mbrëmë, na tregon ca hollësira, që duhen ditur, në se dëshiron të marrësh pjesë me devocionin e duhur këtë festë madhështore. Mësojmë, ndërmjet tjerash, një hap të çuditshëm valleje, të cilin të mëdhenj e të vegjël e përsërisin pa u lodhur, në sa ecin drejt katedrales. Tre hapa para e dy mbrapa, tre para, dy mbrapa… E kështu proçesioni vijon të zhdridhet ngadalë-ngadalë, por pa u ndalur asnjë çast, drejt katedrales, ku ipeshkvi i qytetit i pret besimtarët, për të filluar Meshën. Është kjo mënyra festive e simbolike, që u kujton besimtarëve se veprimtaria ungjillëzuese e Vilibrordit në trojet frizone nuk qe gjithnjë e lehtë! Shumë herë ky murg misionar e shokët e tij bënë tre hapa para e dy mbrapa, para se popullsitë pagane të veriu të Evropës të takoheshin me Hyjin. Por kthimi i vazhdueshëm mbrapa nuk e theu vullnetin e hekurt të Vilibrordit: sa herë kthehej mbrapa, aq herë rinisej me vendosmëri para, për të vijuar misionin.
Kur Vilibrordi e shokët e tij arritën në trojet e frizonëve, në veri të Galisë, aty nga fundi i shekullit VII, këto vise ishin krejtësisht pagane: njerëzit gjunjëzoheshin para drurëve; u luteshin burimeve, adhuronin shtatore druri e guri e gjithçka i rrethonte e nuk arrinin ta kuptonin. Kishin, prandaj, frikë nga gjithçka. Shumë pak prej tyre e njihnin Hyjin e vetëm e të vërtetë të Vilibrordit. Një pamje e tillë do të kishte trembur këdo, por jo Vilibrordin i cili, për të siguruar mundësinë që të predikonte lirisht, miqësohet me krerët e fuqishëm të fiseve
Fillimi i misionit duket premtues. Frizonët pagëzohen në masë. Vilibrordi gëzohet e vijon të depërtojë më thellë ndër trojet pagane. Por, duke u zhvendosur në veri, takon popullsi që nuk duan as t’ia dëgjojnë fjalën. Atëherë murgu i bën copë e grimë shtatoret e hyjnive të rreme dhe e detyron me forcë popullsinë të kthehet në rrugën e të vetmit Hyj. Bëhet ushtar i Zotit.
Një ditë prej ditësh e godasin me shpatë në kokë, duke i hapur një plagë të thellë. Po ai shpëton. Duket qartë se Zoti dëshiron që ta vijojë misionin. Pasi i shërohet plaga, riniset, më i fortë e më i vendosur se kurrë. Ky njeri i shenjtë jeton gjatë e arrin të bëhet kryipeshkëv i frizonëve. Vërtetë iu desh të bënte tre hapa para e dy mbrapa, por hap pas hapi ia doli mbanesh të fitonte shumë shpirtëra për Hyjin!







All the contents on this site are copyrighted ©.