2008-02-26 17:58:05

Kardinali Bertone nga Kuba, e quan të papranueshme embargon: sot takimi me Raul Kastron.


(26.26.2008 RV )Dita e fundit e vizitës së kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Kubë. Pak para nisjes për Romë - takimi me presidentin e ri, Raul Kastro.
Ndërsa dje bisedoi me studentët e Universitetit të Havanës dhe me gazetarët.
Në Universitetin e Havanës mbajti një ligjëratë me temë “Kultura dhe themelet etike të jetës njerëzore”, duke theksuar se ‘Kisha katolike nuk identifikohet me asnjë kulturë të veçantë, por e ndjen veten pranë të gjitha kulturave’.
Gjatë konferencës së shtypit, pas një takimi pune me ministrin e jashtëm, Felipe Pérez Rok, kardinali Bertone saktësoi: “Besoj se presidenti i ri Raul, Këshilli i ri i Shtetit dhe vetë Kisha katolike, po përpiqen ta mbështesin popullin kuban e t’i përgjigjen me të gjitha mënyrat aspiratave të tij, duke pasur parasysh edhe vështirësitë e shumta që krijohen nga embargoja ekonomike. Në vijim Hirësia e Tij përsëriti pohimin e Gjon Palit II, i cili e pati quajtur embargon të papranueshme, të dëmshme për popullin kuban e të pamoralshme. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Bertone theksoi se nuk ka kërkuar amnisti, por gjeste pajtimi dhe shtoi se Kisha e përshëndet si gjest pozitiv lirimin e të burgosurve politikë, siç ka ndodhur kohët e fundit.
Duke bërë një bilanc të shpejtë të vizitës së tij, në përfundim e sipër, kardinali Bertone kujtoi posaçërisht rolin e të rinjve, që janë ardhmëria e Kubës; e Kubës së lirë, e Kubës - komb i përparuar, së cilës i respektohet plotësisht autonomia. Këto ditë – pohoi Hirësia e Tij - pata rastin të takoj shumë të rinj tepër entuziastë, njerëz që luftojnë për pavarësinë e Kubës kundër çdo force shtypëse të jashtme e të brendshme.
Ndërkaq Konferenca ipeshkvnore katolike e Kubës, në një komunikatë të shkurtër, shpreh besimin në autoritetet e reja kubane, me shpresë se do të merren masa të rëndësishme për t’i dhënë fund anktheve e shqetësimeve që shprehin sot kubanët.Ditën e fundit të vizitës, Kardinali Bertone e nisi me kremtimin e Meshës në Penalver, më pas u takua me salezianët e salezianet e Havanës, për të vijuar me vizitën në Shkollën e Mjekësisë Latinoamerikane, ku studiojnë qindra të rinj nga 14 vende të zonës. Së fundi, pak para nisjes për Romë, sekretari i Shtetit do të takohet me Raul Kastron dhe ministrat e tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.