365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(26.02.2008 RV)26 shkurt: Festa
e Naltimit të Kryqit, Relikes së ngjalljes. Më 26 shkurt të vitit 630 Jeruzalemi
përgatitet të jetojë një ngjarje të madhe. Prej disa ditësh, një turmë vigane dyndet
drejt Qytetit Shenjt. Familje të tëra grumbullohen tek portat e qytetit e disa njerëz
kalojnë netë të tëra jashtë, nga frika se nuk do të mund të marrin pjesë në festën
e jashtëzakonshme. Njerëzit flasin, hanë, këndojnë së bashku, formojnë grupe të vogla
urate. “Po vjen! Erdhi!” Një fëmijë që vrojton rrugën, i hipur në maje të një
peme, i lajmëron njerëzit se po fillon ajo që pritet prej shumë orësh. Lajmi përhapet
me shpejtësinë e dritës: “Është pikërisht Kryqi! Së shpejti do të kalojë para
nesh!”. Disa njerëz ngrihen në majë të gishtrinjve, të tjerë shtyhen, grupe fëmijësh
kacavaren mbi degët e pemëve ose hipin mbi supe të prindërve. Si të ishte një trup
i vetëm, turma grumbullohet buzë rrugës, e mbikqyrur nga ushtarët. Është e vërtetë,
po vjen! Pas gjashtëmbëdhjetë vjet ‘mërgimi’, Kryqi i Krishtit po kthehet në shtëpi!
Më në fund persianët ia rikthejnë Jeruzalemit, pasi e vodhën kur korrën fitoren e
vitit 614. Herakliu, perandori i ri i Lindjes, e risjell Kryqin në vend me një
ceremoni madhështore, i shoqëruar nga e shoqja, perandoresha Martina, nga oborrtarët
e nga gjithë ushtria, me uniformë të ndritshme festive. Paria e vendit, rregulltarët
e krerët ushtarakë formojnë një proçesion të paparë ndonjëherë, të gjatë, pa fund.
Proçesioni drejtohet ngadalë drejt Jeruzalemit. Po pjesëmarrësit më të shumtë janë
njerëz të zakonshëm, besimtarë, të grumbulluar me mijëra gjatë gjithë rrugës. Ngarendën
për ta pritur Kryqin e Zotit me një gëzim, me një entuziazëm, me një emocion, të
cilin askush s’e kishte provuar më parë, e s’do ta provonte as më pas. Ishte një ditë
e jashtëzakonshme, e papërsëritshme! Emocioni nuk përmbahet më kur, nga larg,
nis të duket profili i Kryqit. Herakliu është kujdesur që gjithçka të jetë e denjë
për pritjen e Relikes së Ngjalljes. I ka mbledhur të gjitha pjesët së bashku, që populli
ta shikojë të plotë Kryqin e lumnueshëm. Jeruzalemi nuk jetonte prej kohe një ngjarje
të tillë. Burra e gra, të mbledhur pranë e pranë, i harrojnë grindjet e vjetra e problemet
personale, për t’u shtrënguar, të bashkuar e të lum, rreth Kryqit të Krishtit. Tani,
më shumë se kurrë, Kryqi është për ta shenjë e bashkimit dhe e dashurisë së Hyjit
për të gjithë njerëzit. E kështu lind edhe festa e Naltimit të Kryqit, që Kisha,
nga ky çast, nis ta kremtojë vit për vit.Në këtë festë të krishterët e botës mbarë
kujtojnë se Krishti dha jetën për ta, e për ta e mundi të keqen e vdekjen!