Në fjalimin drejtuar Akademisë Papnore për Jetën, Benedikti XVI kërkoi që i sëmuri
të ndihmohet për të jetuar me dinjitet, duke mos e pranuar eutanazinë.
(25.02.2008 RV)Shoqëria duhet ta
ndihmojë të sëmurin rëndë për ta përballuar me dinjitet çastin e vdekjes: këtë pohoi
Benedikti XVI, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e Kongresit me temë “Pranë të
sëmurit të pashërueshëm, në prag të vdekjes: orientime etike dhe operative”, që vijon
këto ditë në Vatikan. Kongresi organizohet nga Akademia Papnore për Jetën, me rastin
e asamblesë së saj XIV të përgjithshme. Papa dënoi përsëri me forcë çdo formë
të eutanazisë, duke uruar që Kisha dhe Institucionet civile të bashkëpunojnë për t’i
siguruar të sëmurit rëndë dhe familjarëve të tij, gjithë ndihmën për të cilën kanë
nevojë. “Në një shoqëri të ndërlikuar, të ndikuar fuqimisht nga zhvillimi i
prodhimit e nga kërkesat e ekonomisë, njerëzit e ligësht e familjet më të varfëra
nuk janë në gjendje t’u bëjnë ballë vështirësive ekonomike ose sëmundjeve. Gjithnjë
më shumë në qytetet e mëdha shikojmë njerëz të moshuar e të vetmuar, edhe në çastet
e sëmundjeve të rënda e në prag të vdekjes. Në situata të tilla – theksoi me forcë
Papa – ideja e eutanazisë është tepër e pranishme, posaçërisht në mjediset që e
shikojnë njeriun vetëm si mjet fitimi”. Edhe në këto kushte e duke u nisur
nga mësimi shumëshekullor i Kishës, Benedikti XVI e dënoi përsëri ashpër çdo formë
të eutanazisë së drejtpëdrejtë. E më pas foli për mbrojtjen e njeriut në rrethana
të ndryshme, që kanë të bëjnë me shëndetin e tij, qysh nga lindja e fëmijëve, tek
mbrojtja në punë e tek përballimi i sëmundjeve të pashërueshme, duke bërë thirrje
që shoqëria t’i qëndrojë pranë në çdo çast ligështie. E jo vetëm të sëmurit – nënvizoi
Papa - por edhe familjarëve më të afërt, të cilët duhet të kujdesen për të sëmurët
rëndë.