2008-02-25 17:23:34

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(25.02.2008 RV)RealAudioMP3 25 shkurt: Kënga gregoriane, muzikë kishtare që u bën ballë shekujve
Si mund t’i këndohet mirë e më mirë dashurisë hyjnore? E të kremtohen mirë e më mirë mrekullitë e natyrës e drita e fesë? E t’i këndohet kujdesit e dashurisë që ka Hyji për secilin nga ne? Si mund t’i lutemi Atij që na ndjek me durim atëror, Atij që, prej Adamit - te Jezusi, i shoqëron njerëzit me dashurinë e tij të pafund?
Kisha e shekujve të parë nuk bën kaq shumë pyetje: shfrytëzon muzikën e kohës. Shumë nga meloditë e saj frymëzohen nga ato të sinagogave. Më pas, në çdo komb, të krishterët e kremtojnë, e brohorasin e e lavdërojnë Hyjin me muzikat e tyre tipike. Kjo larmi është sigurisht edhe pasuri, por si mund të orientohesh në këtë pyll të kapërthyer tingujsh? Këngët që këndojnë besimtarët e Milanos, nuk janë të njëjta me ato që këndojnë besimtarët e Romës; iberikët e Spanjës nuk i këndojnë këngët, që jehojnë në kishat e gjermanikëve ose të galëve. E ka keq e më keq: në Gali disa priftërinj këndojnë latinisht, ndërsa besimtarët u përgjigjen në greqisht, duke e ngatërruar fare melodinë e duke krijuar kështu zhurma, jo harmoninë që duhet të krijojë muzika.
Përveç këtyre, krishterimi kërcënohet nga herezi të shumta e interpretime të gabuara… Kisha ka nevojë për këngë, që e transmetojnë besnikërisht fjalën e Zotit.
Papa Gregori i madh e njeh mirë muzikën. Madje edhe kompozon. Dëshiron që Kisha të këndojë njëzëri e që murgjërit e krishterë ta lavdërojnë njëlloj Hyjin.
Gjatë vizitës së tij në Bizant, ndjek kremtimet në Kishën e Shën Sofisë e i pëlqejnë pa masë. Një t’u kthyer nga shtegtimi, nis rishikimin e të gjitha melodive liturgjike, për të krijuar një përmblehdje këngësh, të cilat të krishterët do t’i përdorin me rastin e festimeve të ndryshme. Kërkon melodi të thjeshta, të thella, që shprehin njëkohësisht lartimin e shpirtit dhe konkretësinë e tij. Ndërmjet përkthimeve të ndryshme që ka grumbulluar, Gregorit i pëlqen në mënyrë të veçantë repertori i Kishës së Milanos, këngët që këndoheshin në Kohën e Ambrozit, kur kthehej në fenë e Krishtit Shën Agostini. I frymëzuar nga tingujt e tyre, Papa Gregori i madh kompozon një përmbledhje këngësh, që u quajtën gregoriane e që do t’i shërbenin mbarë Kishës.Në rrjedhë shekujsh kënga gregoriane do të zhvillohet, murgjërit do ta pasurojnë. Kur hyjmë në një manastir ose kur i dëgjojmë këto këngë, na krijohet përshtypja se muzika vjen nga larg, nga kufijtë e universit e të kohës…. E kështu edhe është. Të krishterë të tjerë i ruajtën me kujdes, pa i ndryshuar fare, këngët e para të Kishës: mund t’i dëgjojmë të kënduara me devocion e frymëzim në bashkësitë e krishtera të Lindjes, në Turqi, Irak, Egjipt e Siri, ku, shumë nga këngët e lashta, tani janë regjistruar me mjete moderne elektronike. Kështu, në se dëshironi t’i dëgjoni, nuk jeni të detyruar të shtegtoni drejt Lindjes…. Mjafton të shtypni një buton e kënga gregoriane, në krahët e tingujve, do t’ju çojë atje ku nisi, atje ku u rikrijua, atje ku ruhet e këndohet për lavdi të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.