2008-02-24 17:44:13

“Populli, shenjtëria, Kisha”: reflektim i Atë Federiko Lombardit mbi Udhëzuesin “Sanctorum Mater” të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.


(24.02.2008 RV) RealAudioMP3 Të hënën e kaluar, kardinali Zhoze Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, paraqiti, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Udhëzuesin ‘Sanctorum Mater” (Nëna e Shenjtorëve), një dokument, i cili u krijon ipeshkvijve dioqezanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, kushtet për ta zhvilluar fazën e parë të një procesi lumnimi – dmth fazën që zhvillohet në vend – me atë përpikmëri që kërkon vërtetimi i famës së shenjtërisë të kandidatit për t’u lartuar në nderimet e elterit. Për këtë dokument, të dëgjojmë reflektimin e drejtorit tonë, Atë Federiko Lombardit:

 
"Procesi që çon drejt njohjes publike të shenjtërisë së një njeriu, nuk mund as të fillojë, në se nuk e kërkon vetë bashkësia e krishterë. Kjo është një nga pikat më domethënëse të Udhëzimit të ri të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Pohohet se për fillimin e procesit, është absolutisht i nevojshëm vërtetimi serioz dhe i thelluar i përhapjes së famës së shenjtërisë ose të martirizmit, në një masë të madhe besimtarësh. Kjo do të thotë se të lumtë ose shenjtorët nuk mund të shpallen të tillë ‘me porosi’’, ose sepse kështu i pëlqen një njeriu me influencë, por vetëm në se populli besimtar është i bindur që ka përpara vetes një dëshmitar të jashtëzakonshëm të fesë, një shembull, të cilit i drejtohet vetvetiu si ndërmjtësues, duke iu lutur ta ndihmojë për të arritur te Hyji. Kisha, pra, beson se Shpirti i Zotit është i pranishëm, i flet popullit të Hyjit, i jep një ndjeshmëri të posaçme. E bën të aftë për të njohur praninë e shenjtërisë së vërtetë, të hirit të saj e të vlerës së saj për jetën e krishterë.
Kjo është aq e rëndësishme, sa Kisha universale duhet të ketë në Romë një dikaster e disa ligje të mirëpërcaktuara, për të dialoguar me këtë ndjesi të pranisë së shenjtërisë e për të shqyrtuar mirë në se Hyji dëshiron ta përforcojë këtë ndjesi të besimtarëve për praninë e shenjtërisë me shenja të qarta – siç janë mrekullitë, në mënyrë që të arrihet me siguri të plotë tek shpallja e mundshme publike e shenjtërisë së një anëtari të Kishës. E i lumi ose shenjti i kanonizuar është vetëm ‘maja e ajzbergut’ e realitetit të mrekullueshëm të jetës, që jetohet me dashuri të patundur të krishterë.
Shenjtëria është thelbësore për Kishën. Doktrina është themelore, ashtu siç është edhe rregulli në jetën e bashkësisë, por shenjtëria është realizimi i plotë i jetës së krishterë, që jetohet në lidhje të ngushtë me Hyjin, drejt së cilës synon gjithçka, është lumnia e vërtetë e Hyjit. E është edhe prova më e sigurtë e besueshmërisë së Kishës. Benedikti XVI na kujton se: “Hyji nuk vjen të na takojë i vetëm, vjen i shoqëruar, vjen së bashku me Marinë e me Shenjtorët. E ne lutemi që Kisha të jetë gjithnjë vërtetë “Nënë shenjtorësh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.