2008-02-24 17:51:16

Gjatë vizitës në famullinë romake të Zojës Çliruese, Papa nënvizoi rrezikun e ndotjes së fesë nga elemente magjike e tokësore.


(24.02.2007 RV)RealAudioMP3 Gjatë homelisë së mbajtur në famullinë romake të Shën Marisë Çliruese në Testaçio, ku ishte sot paradite për vizitë baritore, Benedikti XVI theksoi “rrezikun që Zoti të shikohet, si të ishte në shërbim të dëshirave e të planeve tona e feja të bëhet e brishtë nga ndotja me elemente magjike e krejt tokësore. Besimtarët, të cilët sivjet kremtojnë njëqindvjetorin e shugurimit të kishës, besuar kujdesit të salezianëve, Papa i porositi t’ia hapin gjithnjë më shumë zemrën veprimtarisë baritore misionare.
Ndodh shpesh që njeriu kërkon nga Zoti t’ia plotësojë të gjitha dëshirat e kërkesat, nuk e lëshon veten plot besim në duart e Tij e, në çastin e provës, e humbet besimin në Hyjin Këtë reflektim u propozoi Papa besimtarëve, duke i ftuar të meditojnë Shkrimet Shenjte të së dielës së tretë të Krezhmëve, nga të cilat buron një mesazh gjithnjë aktual: “Hyji ka etje për fenë tonë e dëshiron ta gjejmë në të burimin e lumturisë sonë”. Por, si i përgjigjet njeriu kësaj dëshire?
“Ekziston rreziku që besimtari të praktikojë një fe, e cila nuk është e vërtetë; të mos i kërkojë nga zemra e Hyjit përgjigjet për dëshirat më të thella të zemrës së vet, madje ta përdorë Hyjin si të ishte në shërbim të dëshirave e të planeve tona”.
E, në vend që t’i nënshtrohemi pa fjalë vullnetit hyjnor – vijoi Papa – duam që Hyji të merret me realizimin e planeve tona e të plotësojë dëshirat tona.
“E sa shpesh devocioni ynë bëhet i brishtë; besimi ynë, i ligsht; feja jonë, e ndotur nga elemente magjike e thjeshtë tokësore”.
Benedikti XVI i nxiti besimtarët ta shikojnë kohën krezhmore si ftesë për t’u kthyer në rrugën e Zotit e më pas, duke u frymëzuar nga episodi ungjillor i takimit të Jezusit me Samaritanen, shtoi:
“Në se etja fizike për ujë është e domosdoshme që të jetojmë mbi këtë tokë, nuk duhet harruar se njeriu ka edhe një etje shpirtërore, që vetëm Hyji mund ta shuajë… Etje për pafundësinë, të cilën mund ta shuajë vetëm uji që jep Jezusi, uji i gjallë i Shpirtit Shenjt”.
Në vijim Papa i ftoi besimtarët e famullisë:
“Hapjani gjithnjë më shumë zemrën veprimtarisë baritore misionare, që e nxit çdo të krishterë të takohet me njerëzit, posaçërisht me të rinjtë e me familjet, atje ku jetojnë, ku punojnë, ku kalojnë kohën e lirë, për t’u kumtuar dashurinë përdëllyese të Hyjit”.
Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI homelinë, duke i nxitur besimtarët e famullisë ta vijojnë me zell veprimtarinë e tyre të ungjillëzimit e të edukimit të krishterë e ta kërkojnë pa u lodhur kurrë, fytyrën e Jezusit”.
Në përfundim të Meshës, Ati i Shenjtë u takua me disa përfaqësues të famullisë, që i kushtuan një poezi në dialektin romanesk. Papa e ndoqi me kënaqësi e, si përfundoi, pohoi me shaka: “Unë nuk di të flas në dialektin e Romës, ndonëse ne katolikët jemi të gjithë romakë”.
Më pas kujtoi përsëri Samaritanen, që të duket si përfaqësuese e njeriut modern, si pasqyrë e jetës sonë të sotme dhe e të gjitha problemeve të saj. Kemi para nesh një grua që e përdor në tepri lirinë, gjë që nuk e bën aspak më të lirë, përkundrazi, e bën ta ndjejë veten gjithnjë më të zbrazët.
E shikojmë edhe se kjo grua dëshiron me gjithë zemër të gjejë lumturinë e vërtetë, gëzimin e vërtetë: e ka këtë etje, prandaj është gjithnjë e shqetë, gjithnjë në kërkim. Mua – vijoi Papa - më prek edhe fakti se kjo grua, me një jetë në dukje kaq të cektë, kaq larg Hyjit, në çastin kur i flet Krishti, kujtohet se në fund të zemrës ia ka bërë gjithnjë vetes pyetjet: “A ka Zot? Kush është Zoti? A mund ta adhurojmë? Si mund ta bëjmë këtë?
Liria e vërtetë buron nga takimi me të vërtetën, që është dashuri e gëzim – tha në përfundim Benedikti XVI - duke i uruar besimtarët ta njohim gjithnjë më shumë Jezusin, për ta kumtuar me gjithë zemër. Pasi përfundoi vizitën baritore në famulli, Papa u rikthye në Vatikan, për të kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës i ftoi besimtarët t’i mundin pakënaqësitë që burojnë nga ngjarjet e jetës, duke takuar Jezusin. Bëri edhe thirrje për popullsitë e Ekuadorit, të tronditura rëndë nga fatkeqësitë e natyrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.