2008-02-24 17:56:47

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(24.02.2008 2008)RealAudioMP3 24 shkurt: Kolombani i ri, murgu që ta përplasë në sy, pa frikë, të vërtetën.
Kolombani ngre kokën lart para Brunhildës, mbretëreshës së Burgonjës. Zhguni i murgut i jep pamje të rreptë.
“Lartmadhëri” – i thotë – “Biri juaj, Tieri, po shkandullon gjithkënd, prandaj duhet dënuar. Në vend që të rrijë me gruan e vet, tërbohet me gra të tjera. Si ia lejon vetes të tallet kështu me ndjenjat e tjetrit? A s’e ka marrë vesh ende se në këtë botë ka disa kufij, që nuk duhen kapërcyer? Nuk mund të dëshirosh atë, që nuk duhet dëshiruar! Tieri duhet të rrijë me gruan e vet e jo të harbohet pas grave të tjera! Martesa është e shenjtë, Lartmadhëri: si harruat t’ia mësoni këtë gjë kaq të rëndësishme birit tuaj, kur e edukuat?
Brunhilda mavijoset nga inati dhe e shigjeton Kolombanin me vështrimin e saj krenar.
“Murg maskara! Si guxon t’i flasësh kështu një mbretëreshe? Mbretërit kanë të drejtë të bëjnë gjithçka dëshirojnë, kuptove? Tieri është princi i Burgonjës e në se i teket të dashurojë një grua, kjo s’është puna jote. I martuar apo i pamartuar qoftë, është puna e tij. Po na thoni se paska edhe fëmijë me këtë grua! E ç’ka këtu për t’u çuditur?
Kolombani nuk është nga ata që tremben prej kërcënimeve. Nuk dron askënd, veç Zotit. Mbretëresha e tërbuar nga inati nuk e tremb fare. Ia kthen aty për aty me ton të prerë: “Gaboheni rëndë, mbretëresha ime. Në Bibël Zoti i thotë njeriut: “Mos e thyej kurorën!” Me fjalë të tjera, mos e dëshiro gruan e tjetrit. Nuk kam dëgjuar kurrë që Zoti të ketë shtuar: “Po përjashtoj nga ky urdhër princat, të cilët kanë të drejtë të bëjnë gjithçka u do qejfi. Princat janë njerëz si gjithë të tjerët: duhet t’i binden Zotit, madje duhet të japin të parët shembull të mirë! Për këtë arsye Tieri duhet dënuar edhe më ashpërsisht”.
“Mbylle gojën, murg i prapë! Kujton se të lejohet gjithçka, vetëm sepse je prift? E po mirë, këput qafën nga mbretëria ime. Zhdukmu nga sytë! Ik. Kthehu në ishullin tënd, në Irlandë: madje do të kishe bërë më mirë të mos ishe larguar kurrë që aty. Një copë murg t’u japë urdhëra mbretërve! Përjashta!
Jeta e Shën Kolombanit, lindur rreth vitit 540 e vdekur në vitin 615, është plot me ndeshje të këtij tipi. Ky murg irlandez, me sjellje të ashpra, ia përplas pa frikë në fytyrë kujtdo atë që mendon, pa pyetur fare për pasojat. Nuk di as nuk do t’ia lëpijë këmbët njerëzve të fuqishëm. Aq më pak, t’ua mbulojë poshtërsitë, vetëm për të gëzuar mbrojtjen e tyre. E ç’i duhet kjo mbrojtje shkandulluese? Gjatë shtegtimeve të tij në mbarë Evropën, takon shpesh mbretër, por nuk pranon kurrë të shkelë mbi parimet e tij, për të gëzuar privilegjet e tyre. Përkundrazi, ua vë gjithnjë në dukje të metat, pa pyetur fare për zemrimin e tyre. Mendon se është pikërisht detyra e tij t’ua qortojë mëkatet këtyre njerëzve, që shpesh herë, përveçse mëkatarë, janë edhe tepër krenarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.