Thirrje e Papës edukatorëve që të rigjejnë kuptimin dhe guximin e misionit të tyre.
(23.02.2008 RV)Duhet gjetur guximi për t’i edukuar të rinjtë me një ekulibër
të drejtë ndërmjet lirisë e disiplinës, në një kohë kur shpesh herë prindërit e mësuesit
e humbasin kuptimin e misionit të tyre. Këtë pohon Papa në Letrën e shkruar me rastin
e Ditës së Shkollës katolike të dioqezës së Romës. Teksti, që mban datën 21 janar,
u publikua më 23 janar 2008. Në Letër, Papa thekson emergjencën edukative të kohës
sonë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë të edukosh – pohon Ati i Shenjtë – por sot duket se
po bëhet gjithnjë më e vështirë… gjë që e dinë mirë si prindërit, ashtu edhe ata që
kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta edukative e që shikojnë gjithnjë më shpesh dështimin
e përpjekjeve të tyre. Atëherë, në mënyrë të natyrshme, dënohen breznitë e reja,
sikur fëmijët që lindin sot të ishin ndryshe nga ato që lindnin në të kaluarën. Apo
ndoshta duhet menduar se fajin e kanë të rritur, që nuk janë më të aftë për të edukuar?
Sot si prindërit, ashtu edhe edukatorët, tundohen fuqimisht të heqin dorë nga misioni
i tyre, madje në se kanë arritur ta kuptojnë këtë mision që u është besuar. Në të
vërtetë – lexojmë akoma në Letrën papnore - ekziston një atmosferë, një mendësi e
një formë kulture, që të bëjnë të dyshoh për vetë vlerën e njeriut e për vetë kuptimin
e së vërtetës e të së mirës. Kështu bëhet gjithnjë më urgjente kërkesa për një
edukim që të jetë vërtetë i tillë. E kërkojnë prindërit, shpesh herë në ankth për
ardhmërinë e bijve; e kërkojnë shumë mësues, që shqetësohen degradimin e shkollave
të tyre; e kërkon shoqëria, që shikon të vihen në dyshim vetë bazat e bashkëjetesës;
e kërkojnë, thellë në shpirt, edhe fëmijët e të rinjtë, që nuk duan të braktisen përballë
sfidave të jetës. Edukimi i vërtetë – shkruan Papa – ka nevojë për afërsinë e për
besimin, që lindin nga dashuria. Edukatori i vërtetë e di se për të edukuar, duhet
të dhurosh diçka nga vetvetja e se nuk mund të mjaftohesh vetëm në dhënien e koncepteve
e të informacioneve, duke e lënë mënjanë pyetjen e madhe që ka të bëjë me kërkimin
e së vërtetës, asaj së vërtete, e cila mund të jetë udhërrëfyese në jetë. Edhe
vuajtja – shkruan Papa - bën pjesë në jetën tonë. Prandaj, në se përpiqemi t’i mbrojmë
të rinjtë nga vështirësitë e nga pervoja e dhimbjes, rrezikojmë të rrisim njerëz të
brishtë e pak bujarë: nuk duhet harruar se aftësia për të dashur, përkon me aftësinë
për të vuajtur së bashku. Prej këndej, Papa thekson pikën më delikate të veprimtarisë
edukative: gjetjen e ekuilibrit ndërmjet lirisë e disiplinës. Pa respektuar disa rregulla
në sjellje e në jetë, duke i vlerësuar ditë për ditë edhe në gjërat më të vogla, nuk
mund të formohet karakteri e nuk mund të përgatitemi për të përballuar provat, të
cilat sigurisht nuk do të mungojnë në të ardhmen. Në takimin e dy lirive: asaj të
edukimit të suksesshëm e asaj të formimit për përdorimin e drejtë të lirisë, Papa
nxit të pranohet rreziku i formimit për përdorimin e drejtë të lirisë, duke i kushtuar
vëmendje të dorës së parë, ndihmës që u duhet dhënë të rinjve, të cilët duhen qortuar,
pa ua fshehur gabimet, pa mbyllur njërin sy, ose edhe më keq, duke ua pranuar, si
të ishin arritje e re e progresit njerëzor. Edukimi nuk mund të ecë përpara, në se
nuk pranohet ushtrimi i autoritetit. Përgjegjësia – vijon Papa – në radhë të parë
është personale, por ka edhe një përgjegjësi tjetër, që u takon të gjithë qytetarëve.
Është e nevojshme, prandaj, që secili nga ne, secili njeri, secila familje ose secili
grup shoqëror, të japë ndihmesën e vet, që mbarë shoqëria të bëhet një mjedis i përshtatshëm
për edukim. Shpirti i edukimit, ashtu si i jetës - lexojmë akoma në tekstin papnor
– mund të jetë vetëm një shpresë e besueshme. Sot shpresa jonë është e rrethuar nga
të katër anët e ka rrezik që edhe ne, ashtu si paganët e lashtë, të bëhemi njerëz
pa shpresë e pa Zot: prandaj mund të thuhet se sot, në rrënjët e krizës së edukimit,
është kriza e besimit në jetën.Në përfundim Benedikti XVI u drejton të gjithëve ftesën
për t’a mbështetur në Zotin gjithë besimin tonë, sepse vetëm Ai është shpresa që u
bën ballë zhgënjimeve e nuk është kurrë shpresë individualistike, por gjithnjë shpresë
për të tjerët; nuk na izolon, por na nxit të edukojmë njëri-tjetrin me të vërtetën
e dashurinë.