Benedikti XVI dioqezës së Romës: në shoqërinë ku sundon dyshimi e paqartësia, është
gjithnjë e mundur që breznitë e reja të edukohen me vlerat e pamort të Ungjillit.
(23.02.2008 RV)“Pavarësisht nga
paqartësitë dhe përpjekjet e mjeteve të komunikimit për të imponuar modele të shëmtuara,
edhe në kohën tonë është e mundur të jepet një edukatë e mirë”. Ky është mesazhi që
u përcolli sot paradite Papa mijëra besimtarëve të dioqezës së Romë të cilët, të kryesuar
nga kardinali- vikar, Kamilo Ruini, u mblodhën për të ndjekur reflektimin e Benediktit
XVI mbi emergjencën edukative. Ishte reflektimi i shprehur në Letrën e nënshkruar
më 21 janarin e kaluar e shpërndarë në një milion kopje ndërmjet besimtarëve të dioqezës.
Të rinjtë, posaçërisht, Papa i porositi ta pranojnë pasurinë e krishterimit, që u
siguron mundësitë për një zhvillim të shëndoshë moral, kulturor e shpirtëror. Papa,
pra, e nxori ‘sfidën e madhe’ të edukimit në shesh, përballë 50 mijë vetëve që punojnë
në fushën e edukimit të të rinjve: prindër, mësues, rregulltarë, katekistë e, natyrisht,
shumë të rinj. Sot - tha Benedikti XVI, duke u folur besimtarëve të dioqezës, si
ipeshkvi i tyre - në fushën e edukimit ndjehet një shqetësim jo i pakët, një emergjencë
e vërtetë edukative: “Të edukosh nuk ka qenë kurrë e lehtë – pohoi Ati i
Shenjtë – por sot duket se po bëhet gjithnjë më e vështirë… gjë që e dinë mirë
si prindërit, ashtu edhe ata që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta edukative e që
shikojnë gjithnjë më shpesh dështimin e përpjekjeve të tyre. Atëherë, në mënyrë të
natyrshme, dënohen breznitë e reja, sikur fëmijët që lindin sot të ishin ndryshe nga
ato që lindnin në të kaluarën”. E kjo, sepse shumë dyshime qarkullojnë në
shoqërinë tonë e në kulturën tonë; të shumta janë figurat e shëmtuara që propozojnë
mjetet e komunikimit. Kështu vështirësohen edhe më shumë përpjekjet për t’u propozuar
breznive të reja diçka të vlefshme e të sigurtë, mënyra sjelljeje e qëllime, për
të cilat ia vlen ta shkrish gjithë jetën”. Po ne s’e humbasim kurrë shpresën. Prandaj
jemi mbledhur sot këtu – vijoi Papa – sepse na bashkojnë feja e shpresa, shpresë që
lind nga besimi në Krishtin e nga vlerat e Ungjillit. Në vijim Ati i Shenjtë i
inkurajoi një nga një kategoritë e ndryshme të edukatorëve: prindërit i porositi t’i
edukojnë fëmijët ta dallojnë të mirën nga e keqja me shembullin e jetës së tyre e
të fesë së tyre; mësuesit - të mos kufizohen në dhënien e nocioneve e të informacioneve
por, në përkim të plotë me prindërit, ta ushtrojnë me mjeshtri artin fisnik të formimit
të njeriut; klerit, rregulltarëve e katekistëve, Benedikti XVI u kujtoi se për
t’u propozuar të rinjve Krishtin, duhet së pari të jenë vetë dëshmitarë të sinqertë
e të guximshëm të lirisë që i bën njerëzit vërtetë të lirë; masës vigane të të
rinjve, që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u kujtoi se nuk
janë thjeshtë objekt i edukimit, por protagonistë të tij.Hyji është mik i fshehtë
i zemrave tona; Ai dëshron ta ndriçojë dhe e ndriçon jetën tonë – tha në përfundim
Benedikti XVI - “Atij mund t’i besojmë plotësisht”.